Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës, Partia Demokratike ka arritur të ruajë mandatin e katërt në qarkun e Lezhës, duke vulosur kështu një fitore të rëndësishme në këtë zonë. Rezultati final u prit me qetësi nga të dyja palët, të cilat pranuan verdiktin e kutive të votimit.
Në një atmosferë të qetë dhe me tone pajtuese, Admir Kadeli, uroi fituesin Kastriot Piroli për rezultatin, duke e cilësuar atë si një garë të ndershme dhe me standarde demokratike. Ndërsa socialisti Kadeli shtrëngim duarsh pati edhe me kandidatin tjetër demokrat, Gjin Gjoni.
PD çon në Kuvend kështu Agron Gjekmarkajn, Elda Hotin, Gjin Gjonin dhe Kastriot Pirolin. Ndërsa socialistët Ulsi Manjën, Ermal Pacjan dhe Marjeta Nelin.
Të dyja palët u panë duke shkëmbyer batuta miqësore dhe në fund shtrënguan duart, duke dhënë një shembull të rrallë të ‘fair play’-t politik në Shqipëri.
Ulsi Manja u pa duke i shtrënguar dorën Kastriot Pirolit, që fitoi pikërisht mandatin e katërt në Qarkun e Lezhës. Edhe Gjin Gjoni i dha dorën kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi.
Partia Demokratike fitoi me 70 vota më shumë se Partia Socialiste në Qarkun e Lezhës.
(BalkanWeb)