TIRANË- Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e Kuvendit Ilir Meta se kanë marrë në mbrojtje deputetin Koço Kokëdhima, duke mos lejuar shqyrtimin e kërkesës për heqjen e mandatit të tij. Në një deklaratë për mediat, deputeti Edmond Spaho tha se Rama dhe Meta kanë manifestuar standard të dyfishtë duke marrë në mbrojtje Kokëdhimën dhe duke internuar deputetët armiq të partisë.

“Edi Rama dhe Ilir Meta manifestuan sërish standard të dyfishtë për të njëjtën çështje, duke marrë në mbrojtje Koço Kokëdhimën, dhe duke internuar deputetët armiq të partisë.

Prej më shumë se 3 javësh, ka një kërkesë zyrtare në Kuvend për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima, i cili është kapur duke shkelur Kushtetutën në 150 raste, pasi ka përfituar fonde publike përmes biznesit të tij privat. Edhe pas insistimit të Partisë Demokratike, që rasti i Kokëdhimës të trajtohej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, sërish Edi Rama dhe Ilir Meta e kanë marrë në mbrojtje deputetin e tyre mik, dhe kanë vepruar me urgjencë ndaj deputetëve të padëshiruar tashmë prej tyre”, tha Spaho.

Deputeti demokrat theksoi se deputeti Kokëdhima ka shkelur Kushtetutën ndërsa Rama dhe Meta sipas tij kanë shkelur ligjin, rregulloren dhe Kushtetutën.

“Duke e trajtuar rregulloren, ligjin dhe Kushtetutën sipas humorit dhe interesave personale, Edi Rama dhe Ilir Meta po thellojnë padrejtësinë në vend. Shkelja e Kushtetutës nga Kokëdhima është një akt i rëndë, dhe po aq e rëndë është shkelja e ligjit, e rregullores dhe e Kushtetutës që bëjnë Rama e Meta duke marrë në mbrojtje deputetin e tyre. Partia Demokratike e dënon këtë politikë selektive të Edi Ramës, të ndalimit të ligjit dhe procedurës për mikun e tij. Përfituesin e paligjshëm të fondeve publike, nuk do të mund ta shpëtojë as miku i tij kryeministër, as kryetari i parlamentit. Kushtetuta do të zbatohet dhe do të ketë drejtësi, do apo nuk do Edi Rama dhe Ilir Meta”, tha Spaho.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: