TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas daljes para mediave të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili deklaroi se viti 2015 pati ulje të veprave kriminale. Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ina Zhupa tha se Saimir Tahiri që duhet të ishte prapa hekurave si koordinatori dhe protektori i trafikut te lëndëve narkotike, u kujton burgun shqiptarëve, të pamundurve atyre që s’kanë 2 mijë leke të paguajnë dritat.

“Ministri i krimit të organizuar, makina personale e të cilit përdoret për trafik droge nga kushërinjtë e tij Habilaj, njeriu që vendosi rekordin historik të hashashizimit të Shqipërisë, kërcënon, transferon apo ndëshkon punonjësit e policisë kur nuk mbyllin sytë para trafikantëve të preferuar të ministrit”, deklaroi Zhupa.

Sipas saj, Ministri që ka rrëfyer para kamerave se ka shkelur nenin 352 të Kodit Penal, duke ndaluar zbatimin e një vendimi gjykate, nen i cili parashikon dënim me burg deri në 7 vjet, njeriu i cili ka rrëfyer para shqiptarëve se ka shitur makinën e tij luksoze pa kupon, pa paguar TVSH, pa paguar asnjë taksë, njeriu që fton në zyrën e tij vrasës me pagesë si Durim Bami, u kujtoi burgun tregtarëve dhe fermerëve për një kupon tatimor për një kg qepë apo kripë.

“Ministri që la në mëshirë të fatit banorët e Fierit, Vlorës, Elbasanit, Korçës etj kur iu përmbytën shtëpitë e tyre flet sot për masa të marra kundër përmbytjeve. Ministri i Brendshëm që fshehu urdhër ekstradimin e Mark Frrokut, ndihmoi në arratisjen e të akuzuarit për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj, Arben Frrokut, njeriu që u mundua të mbajë  të fshehur dhe të manipulojë provat për deputetin Armando Prenga dhe që organizoi zjarrvënien në laboratorin e policisë shkencore, njeriu i skeduar nga shërbimet si njeriu që komunikon rregullisht me krerët e bandave të narkotrafikut, flet për barazi para ligjit dhe u kujton burgun qytetarëve që rregullojnë çatitë e shtëpive në prag të dimrit”, tha më tej ajo.

Zhupa kërkoi largimin e Tahirit si kusht për stabilizimin e rendit dhe sigurisë. “Njeriu që urdhëroi përfshirjen e policisë në dhunimin e zgjedhjeve dhe votës së lirë, ministri i krimit dhe korrupsionit, njolla e turpit e Shqipërisë duhet të largohet njëherë e mirë, një orë e më parë si parakusht për stabilizimin e rendit dhe sigurisë dhe duhet të vihet para drejtësisë”, përfundoi përfaqësuesja e PD-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: