TIRANE- Partia Demokratike ka kërkuar sërish dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke e akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Luçiano Boçi tha se ministri i Brendshëm “jo vetëm u ka dhënë makinën e tij, u ka dhënë garanci e mbrojtje, por ka vënë pikat kyçe të policisë në shërbim të plotë të bandës”.

Boçi është shprehur se ministri Tahiri duhet të largohet nga detyra dhe të nisë hetimi ndaj tij.

DEKLARATA E PLOTË
Prej 35 ditësh, Saimir Tahiri është nën akuzën e përfshirjes në trafikun e drogës, nën akuzën e bashkëpunimit e krijimit të lehtësive për bandën e narkotikëve në Vlorë.

Kemi një ministër të brendshëm që jo vetëm ka humbur legjitimitetin, por që po bëhet barrë e papërballueshme për vendin, pasi skandali i tij është ndërkombëtarizuar.

Sikur të mos mjaftojnë provat e dëshmitë e oficerit Zagani, për lidhjet e Tahirit me grupet e narkotrafikut që ai vëzhgonte kur ishte në detyrë, çdo ditë dalin lidhje të tjera, fakte të reja të kapjes, inkriminimit të policisë, nën drejtimin e Tahirit.

Shefi i kufirit të Dhërmiut, ai që e ka për detyrë të ruajë territorin ku magazinohet e transportohet droga për në Itali, shfaqet në lidhje shumë të ngushtë me Habilajt, me kushërinjtë e ministrit.
Pra Tahiri jo vetëm u ka dhënë makinën e tij, u ka dhënë garanci e mbrojtje, por ka vënë pikat kyce të policisë në shërbim të plotë të bandës.

Teksa punonjësit e ndershëm të policisë së shtetit luftojnë me krimin, sakrifikojnë dhe jetën, ministri i tyre bën pazare me krimin, u krijon lehtësi bandave, është pjesë e tyre.

Ky inkriminim zmadhohet çdo ditë, sa më shumë qëndron në detyrë Saimir Tahiri.

Qëndrimi në detyrë i Tahirit, një orë më shumë, është një provokim i padurueshëm që i bëhet qytetarëve të vendit, është nxitje e krimit e trafikut të drogës.

Kjo duhet të marrë fund.
Saimir Tahiri duhet të largohet nga detyra, e të hetohet për përfshirjen e tij në trafikun e drogës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: