Parlamenti Evropian duke diskutuar rezolutën për Shqipërinë e ka vënë theksin në përmbushjen e 5 prioriteteve dhe veçanërisht tek reforma në drejtësi, që e quan të domosdoshme për të hapur bisedimet e anëtarësimit. Gjatë diskutimit të PE, eurodeputeti Knut Fleckenstein prezantoi para eurodeputetëve draft-raportin për vendin tonë, duke vlerësuar reformat e deritanishme të ndërmarra nga qeveria, sidomos ato në fushën e ekonomisë, por këmbëngul për reformën në drejtësi.

“Parlamenti dhe qeveria shqiptare kanë ndërmarrë një reformë ambicioze në Shqipëri dhe rrjedhimisht kanë thirrur ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Komisionin e Venecias. Kjo reformë duhet të kalojë nga Parlamenti. Në këtë mënyrë, shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë në rrugën e duhur. Komisioni ka rënë dakord për të ndihmuar Shqipërinë. Por, ne e dimë se ka shumë gjëra që nuk janë arritur. Nëse flasim për 5 prioritetet kyçe dhe reformën në drejtësi, atëherë kjo reforme duhet miratuar dhe dhe me pas do te themi se ka ardhur momenti për të hapur negociatat”, tha Fleckenstein.

Edhe eurodeputeti Eduard Kukan e vuri theksin tek reforma në drejtësi dhe tek procesi i dekriminalizmit. “Reforma në drejtësi është jetike për të forcuar shtetin ligjor dhe shpresoj që kur ajo të miratohet të hapë dyert për në BE. Duhet të jemi realistë lufta ndaj korrupsionit, administrata publike, media dhe reforma zgjedhore janë shqetësimet e tjera”, tha Kukan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb