Parlamenti Evropian i dha dritën jeshile një rregulloreje të re të inteligjencës artificiale (IA), duke hapur rrugën për miratimin përfundimtar të ligjit nga vendet anëtare të BE-së.

Shumica e deputetëve votuan në favor të ligjit sot në Strasburg.

“Akti i IA-së përbën rregulloren e parë në botë për një rrugë të qartë drejt një zhvillimi të sigurt dhe njerëzor të IA-së”, tha ligjvënësi i BE-së, Brando Benifei në një konferencë për shtyp përpara votimit.

Ligji i ardhshëm vendos një regjim certifikimi për sistemet e IA-së të destinuara për përdorime “me rrezik të lartë” të listuara në legjislacion, të tilla si zbatimi i ligjit, kujdesi shëndetësor ose punësimi dhe shkarkimi.

Sistemet e IA-së të destinuara për qëllime të tilla do të duhet të certifikohen në përputhje me legjislacionin përpara se të hidhen në treg. Për shembull, produktet e inteligjencës artificiale me rrezik të lartë duhet të plotësojnë disa standarde të transparencës dhe të kenë sisteme adekuate të menaxhimit të rrezikut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb