TIRANE

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaroi ditën e sotme se nuk ishte bërë asnjëherë pishman për votën dhe qëndrimin e tij sa i takon zgjedhjes së Ilir Metës në krye të Presidencës.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Ruçi komentoi edhe deklaratën e bërë nga ai gjatë raundit të 4 të zgjedhjes së presidentit, kur ishte shprehur se vendi rrezikonte zgjedhje të parakohshme. Mes të tjerash Ruçi pohoi se nuk pret që Meta t’u përgjigjet orekseve të partive politike por që të bëjë detyrën sipas Kushtetues.

“Lidhur me deklaratën time për raundin e katër, s’jam bërë pishman. Ka qenë një deklaratë, e cila përfaqësonte jo vetëm mendimin tim. Por edhe nëse e përfaqësonte mendimin tim si kryetar të grupit, e them edhe sot se nuk kishte luksin Shqipëria që të kalonte nga zgjedhjet në zgjedhje në atë kohë që e bëra. Ka qenë deklaratë që Kuvendi e mbështeti dhe e kurorëzoi me zgjedhjen e presidentit. S’jam pishman për votën që jap dhe qëndrimet që mbaj. S’kam pritur që presidenti i Republikës Meta, të operoj gjatë detyrës së tij sipas orekseve politike partiake dhe elektorale të asnjë pale. Kam pritur dhe pres që zoti Meta të zbatojë Kushtetutën”, tha Ruçi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: