Kordinatori i Programit ekonomik në PD, Dorjan Teliti, ka ngritur shqetësimin për gjendjen ekonomike të pensionistëve në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se i ka braktisur dhe nëpërkëmbur gjatë viteve të fundit.

Në një takim me pensionistë, Teliti u shpreh se të moshuarit janë shtresa që kanë kontribuar më shumë për ndërtimin e shtetit shqiptar, por sipas tij sot po përballen me varfëri dhe mungesë dinjiteti.

“Pensionistët nuk po jetojnë, por po mbijetojnë. Ata zgjohen dhe e mbyllin ditën me hallin se si të mbushin barkun me bukë, si të paguajnë ilaçet, energjinë elektrike dhe faturat e ujit”, deklaroi ai.

Sipas Telitit, në Shqipëri janë mbi 730 mijë pensionistë që përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike dhe mungesë mbështetjeje sociale.

Ai akuzoi mazhorancën se gjatë 13 viteve të fundit ka hequr nga vëmendja pensionistët dhe ka shkatërruar politikat sociale të ndjekura më herët nga qeveria e Sali Berisha në periudhën 2005-2013.

Teliti theksoi se pensionistët duhet të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet dhe jo të përballen çdo ditë me sfidën e mbijetesës.

Dorjan Teliti: Për mundësitë që na dhatë të takohemi me ju, për të diskutuar me ju problematikat, e shtresës më të akude të shoqërisë shqiptare. E shtresës që ka dhënë gjithë mundin e vetë, dijet e veta, djersën e vetë, edhe gjakun e vetë për ta ndërtuar këtë vend, për të ndërtuar edhe shtetin shqiptar, shtet shqiptar i cili sot fatkeqësisht qeveriset me një grusht njerëzish që pikërisht ju, që jeni kontributorët më të mëdhenj dhe historik të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, pikërisht ju, ju ka harruar dhe ju ka nëpërkëmbur më shumë se kurrë.

Tema e sotme që ne e shohim dhe në monitor, pensionistët të nëpërkëmbur, nuk është thjesht një metaforë të dashur miq, po është realiteti i hidhur ku prindërit e mi, ju dhe prindërit e të gjithë atyre që po na ndjekin, po jetojnë dhe po vuajnë sot e prej disa vitesh në kurrizin e tyre.

Absolutisht nuk është e lehtë të ndërmarrësh politika sociale për të vendosur dinjitetin në vend. Por e pamundur nuk është. Ajo që është parë këto 13 vite qeverisjes, të braktisjes së pensionistëve, është parë pikërisht mungesa e vullnetit për t’ju ardhur juve në ndihmë, por mbi të gjitha për të vendosur në vend dinjitetin tuaj të munguar. Atë që bëmë ne gjatë qeverisjes tonë Sali Berishës 2005-2013, duke rikthyer në qendër të vëmendjes pensionistin shqiptar, prej 13 vitesh ajo politikë u shkel, u hodh në kosh, dhe prej 13 vitesh ne veç shohim thjesht halle dhe problematika të njerëzve që kanë dhënë përsëri edhe jetën e tyre për këtë vend, të cilët nuk konsiderohen absolutisht.

Të flasim për pensionistët nuk është e thjeshtë. Edhe vetë personalisht, kam dy prindër pensionistë. Janë mbi 730.000 pensionistë sot në Republikën e Shqipërisë. 730.000 pensionistë që kanë nevojë për ushqime, që kanë nevojë për trajtime mjekësore, që kanë nevojë për ilaçe, që kanë nevojë për ambiente të përbashkëta ku të rrinë, të kalojnë kohën e tyre.

Por në vend që pensionisti shqiptar të ketë dilemën se si do ta kalojë kohën e lirë dhe me kë do ta kalojë, dilema e ditës që nga momenti që ai gdhin mëngjes dhe deri në orën që ai ngryset në darkë, është si të mbushë barkun me bukë. Si të paguajë faturën e kripur të ilaçeve. Si të paguajë faturën e rritur të ujit. Si të paguajë faturën skandaloze të energjisë elektrike. Në vend që pensionisti të ketë, të jetë dinjitoz në jetën e tij dhe të mendojë si të kalojë vitet e tij të jetës, vitet e arta të jetës, në atë dinjitetin normal të një qenie njerëzore, ai ngrihet dhe ngryset thjesht si e si të mbijetojë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb