Kristian Horner mund të rikthehet në Formula 1. Ish-piloti dhe më pas drejtuesi i suksesshëm i ekipit Red Bull, me tetë tituj kampionësh pilotësh të fituar mes Sebastian Fetelit dhe Maks Vershtapenit, nuk i kishte kurrë dyert në F1 të mbyllura pas largimit nga ekipi i pijeve energjike. Megjithatë, për arsye ligjore, ai nuk mund të bashkohej menjëherë me një tjetër skuadër gjatë periudhës së njohur si “gardening leave”, koha e detyrueshme e pritjes përpara se të kalosh te një rival.
Arsyeja lidhet me mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe sekreteve teknike që në Formula 1 ruhen me shumë kujdes. Pas tetë muajsh, periudha e ndalimit ka përfunduar për britanikun. Që prej kësaj jave, Horner është i lirë të bashkohet me një ekip tjetër pas mungesës së tij në “paddock”-un e Formulës 1. Emri i tij vazhdon të gjenerojë tituj, spekulime dhe mundësi, ndaj nuk do të ishte çudi që së shpejti të lidhet seriozisht me ndonjë projekt të ri. Deri tani, thashethemet e kanë çuar pothuajse në çdo drejtim të mundshëm, nga skuadra në rritje deri te projekte krejtësisht të reja, madje edhe të paformuara ende. Historia ka marrë shumë ngjyra.
Fillimisht, mediat e lidhën me Alpinen dhe marrëdhënien e tij të veçantë me Flavio Briatore, si edhe me një projekt që mund të vazhdonte strukturën aktuale të ekipit francez në rast se Renault Group ndryshon pronësinë. Më fuqishëm u përfol për një kalim te Aston Martin, pasi Horner ka një marrëdhënie të mirë me Laurenc Stroll. Ai madje u lidh edhe me Ferrarin kur pozita e Frederik Vasërit dukej e lëkundur. Megjithatë, asnjë prej këtyre mundësive nuk u konkretizua dhe Horner nuk ka firmosur apo arritur marrëveshje me ndonjë ekip. Madje, ai mund të përfundojë edhe në bokse të tjera, si në MotoGP.
Horner u pa gjatë Çmimit të Madh të Amerikës në bisedime me disa ekipe, ndërsa media të specializuara në Itali dhe Angli e përmendën si kandidat për një rol drejtues në botën e motoçiklizmit, si figurë përfaqësuese e anës së “Liberty Media” në kampionat. Por, ashtu si me opsionet e tjera, edhe ky skenar nuk mori forcën e nevojshme për t’u konsideruar realist. E vetmja gjë e sigurt për momentin është se Horner mund të rikthehet në Formula 1 dhe emri i tij do të rikthehet sërish në qendër të vëmendjes. I njëjti emër që shkaktoi polemika të mëdha pas largimit nga Red Bulli, për shkak të marrëdhënies së tensionuar me “klanin” Vershtapen dhe raportit kompleks me yllin holandez, si edhe për çështjet jashtë piste që njollosën figurën e një drejtuesi që u bë simbol i ekipit më dominues të epokës moderne të sportit më të madh të automobilizmit.
