Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se drafti për skemën e re të pensioneve pritet të finalizohet brenda muajit korrik, ndërsa konsultimet publike do të nisin në shtator.
E pyetur nga gazetarët mbi fazën në të cilën ndodhet reforma e pensioneve dhe ndërhyrjet e parashikuara, ministrja sqaroi se skema e re do të hyjë në fuqi pas miratimit dhe do të aplikohet për qytetarët që dalin në pension pas kësaj periudhe.
“Ajo që kemi vendosur është që pensionistët aktualë të mbështeten përmes bonuseve mujore, të cilat u drejtohen kryesisht pensionistëve me të ardhura të ulëta, me synim garantimin e një niveli minimal të ardhurash”, tha Ibrahimaj.
Ajo theksoi se objektivi i qeverisë është që brenda mandatit aktual pensionet urbane të plota të arrijnë në 400 euro, ndërsa pensionet e pjesshme në 220 euro, përmes rritjes graduale dhe mbështetjes mujore.
Sipas saj, gjatë këtij viti janë aplikuar bonuse mujore për kategori të ndryshme pensionistësh, me synimin që ato të rriten më tej në vitin e ardhshëm.
“Problematikat e sotme të sistemit të pensioneve janë një trashëgimi e së kaluarës dhe nuk mund të zgjidhen përmes skemës së re. Reforma synon gjeneratat që do të dalin në pension pas hyrjes së saj në fuqi”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se gjatë kësaj jave po zhvillohen bisedime intensive me Bankën Botërore, e cila ka sjellë një mision në Shqipëri për finalizimin e detajeve të skemës së re të pensioneve.
