TIRANE- Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e plotë të kopshtit 27/a në zonën e Alliasit, i cili ofron tashmë kushte dhe standardet më të mira për rreth 150 fëmijë.

Ambientet e reja të këtij kopshti janë inspektuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili bëri të ditur se tashmë brenda javës do të inaugurohen edhe dy kopshtet e fundit, që sigurojnë tashmë ambiente të reja për gjithë fëmijët e kryeqytetit që frekuentojnë kopshtet publike.

Ai vlerësoi faktin që ky kopsht është rikonstruktuar falë ndihmës së donatorëve, por edhe komunitetit të banorëve. Sipas tij, projekti “Adopto një kopsht”, i cili është tashmë drejt fundit, i ka dhënë një energji pozitive Tiranës.

Veliaj informoi gjithashtu se me përfundimin e rikonstruksionit të kopshteve fokusi i punës do të jetë tek shkollat.

Rikonstruksioni i kopshtit nr. 27/a ka bërë të mundur largimin e lagështirës që ishte kthyer në problematikë, ndërsa është ndërhyrë në gjithë rrjetin hidraulik dhe elektrik të kopshtit. Pjesë e punimeve ishte edhe shtrimi i laminatit, suvatimet, bojatisja e të gjithë ambienteve të kopshtit por edhe shtrimi me moket apo mobilimi i pjesshëm. Kopshti ka tashmë edhe dy këndet e reja të lodrave, në ambientet e tij të jashtme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: