TIRANE– Përfshirja e emrit të ish-ministrit Saimir Tahiri në përgjimet e Habilajve nga autoritetet italiane, ka ngjallur jo pak reagime. Në emisionin “Studio e Hapur”, me Eni Vasilin në “News 24”, gazetarja Klodiana Lala thotë se ish-ministri duhet të kishte reaguar që në momentin kur prokurori i antimafias italiane nuk e takoi për shkak të dosjes “Habilaj”.

Sipas saj, Tahiri duhet të kishte sqaruar në mënyrë të plotë çështjen e shitjes së makinës së tij, tek Habilajt.

“Prokuroria italiane duke vendosur përgjues në makinë i ka kapur gafil duke folur për ministrin e Brendshëm. Personalisht për mua nuk do të kishte çështje “Tahiri” dhe nuk do të diskutohej nëse ish-ministri do të ishte distancuar në mënyrë të prerë dhe kategorike që në momentin kur u hodhën akuza në drejtim të tij. Grupi Habilaj është një grup i cili ka funksionuar dhe ka kryer aktivitet kriminal për vite të tëra në territorin shqiptar.

Një vit më parë prokurori i antimafias italiane refuzoi ta takonte Tahirin për shkak të kësaj dosje. Zoti Tahir në asnjë moment nuk reagoi, nuk kushte një hetim të mirëfilltë për rastin në fjalë. Ai duhet të distancohej ta godiste apo të paktën ta sqaronte përfundimisht këtë çështjen”, tha gazetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb