Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Suli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Pëllumbi” lidhur me bisedat e bëra nga të dënuarit në burgun e Tepelenës.

Pjesa e njëzet e shtatë

Marrë nga P.Op. Suli

Burimi “Pëllumbi”

Tepelënë, 11.8.1971

Sekret

R A P O R T

Burimi njofton se Xhavit Qesja po influencon mbi të rinjtë e burgosur, veçanërisht te Roberti, Ahmeti dhe Vangjeli me Bardhylin, por tek këta dy të fundit, më pak, bile po influencon edhe te Miçua, Zijaji dhe Halimi, me pikëpamjet e tij anti-socialiste dhe komuniste e pro-perëndimore social-demokrate, Xhaviti me Bedrinë, kanë një platformë, ata thonë: se më mirë 100 herë janë këtë kriminelët e vendit, për udhëheqësit e partisë dhe të shtetit tonë, se sa çizmja e gjakosur e muzhikut rus. Këtë ma tha dje Xhavi në prezencë të Bedriut, ky i fundit në këtë rast qeshte.

Të dy këta, duan Shqipërinë e mbrojtjes perëndimore, pa komunizëm, me dhunën gjakatare të diktaturës, nën demokraci alla-perëndimore, Xhaviti meqenëse studion shumë, ka influencë në të gjithë, me përjashtim të Maqos, Koços, Dilaverit, të cilët kanë urrejtje të tërbuar por njëri tjetrin. Xhaviti është agjitator i stërholluar, di dhe nuhat tendencat e bashkëbiseduesit dhe e përpunon me marifet.

Fehmiu tani i ka hyrë një agjitacioni të gjerë kundër Partisë dhe shtetit, propagandon politikën sovjetike, kryesisht me Maqon, Koçon, Dilaverin, Vangjelin, Bedriun dhe Miçon. Me Xhavitin dhe Robertin, nuk flasin fare. Bedriut ja kreh bishtin me tendencë antisovjetike, por për sovjetikët e moderuar. Kurse Pandeliu, është tip që hedh gurin dhe fsheh dorën, mbi të tjetër.

“Pëllumbi”

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Suli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Pëllumbi” lidhur me bisedat e bëra nga të dënuarit në burgun e Tepelënës

Marrë nga P.Op. Suli

Burimi: “Pëllumbi”

Tepelenë, 30.9.1971

Sekret

R A P O R T

Më datën 23.9.1971, paradite që u nis Koçua për në spital, në dhomën e Gjinit u mblodhëm dhe bëmë bisedime, Gjini, Dilaveri, Maqua, Bardhyli, Zijaji dhe Vangjeli. Xhaviti këtë e quajti mbledhje për zgjedhjen e kryetarit në vend të Koços. U bënë biseda të ndryshme, ndër të tjera u fol për lirimet me rastin e festave të nëntorit, të gjithë tallen dhe janë të bindur se lirime nuk ka. Neve, thotë Maqua, kurrë nuk na lirojnë këta, ne vetëm në një mënyrë dalim nga burgu, vetëm kur të rrëzojmë këta që kanë fuqinë, atëhere ne dalim nga burgu.

Dilaveri thotë se vetëm kur të vij Ivani dhe të zbarkoj këtë, Brenda dhjetë minutave ua thyen qafën këtyre, atëhere ne kemi tamam liri, bile dy lirime, daljen nga burgu dhe marrjen e pushtetit, këtë e tha si me shaka, në këtë rast të gjithë qeshën të gëzuar. Vangjeli tha se unë vetëm këtë lirim pres, se për mua, është më mirë të jem këtë në burg, në burgun e vogël, se sa të jem i lirë dhe duke qenë këtë në fuqi, se tërë Shqipëria është një burg i madh, pra më mirë të jem në burgun e vogël që e kam mendjen të fjetur, se të jem në burgun e madh ku nuk do t’i duroj dot budallallëqet e tyre dhe brenda muajit do të tentoj të arratisem, por tani di si të veproj e nga të iki dhe jam i sigurt se nuk më kapin dot më. Për mua, o të dal nga burgu e të iki nga Shqipëria, në mos në Moskë, jam kail të vete kudo dhe në Afrikë, vetë, në Shqipëri të mos jem, bile edhe emrin Shqipëri dhe shqiptar, nuk duhet ta dëgjoj dhe ta bëj hasha.

Xhaviti, me datën 27.9.1971, i tha Gjinit: të lutem shumë mua mos më fol dhe as mos më përshëndet. Mua më tha se ja dhjeva atij pizevengut, s’dua të më flasi se më dhëmbin sytë kur e shoh dhe koka e tij don të bëhet zëvendëskryeministër, këta e kanë bërë edhe kabinetin që do të ngrenë kur të vij Jakubovski. Lirija, sekretare e përgjithshme, Koçua kryeministër, Gjini, zëvendës i parë i ministrit të Mbrojtjes, Maqua, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Brendshëm dhe postet e tjera sekondare ju dhanë të rinjve dhe atyre që i kanë miq, por që s’janë këtu.

Te Maqua dhe Dilaveri, vë re kohët e fundit pas arrestimit dhe izolimit të Miços, një qëndrim të maskuar dhe për të mos u bërë shkak që komanda të kapet pas tyre, se kanë frikë se mos dënohen përsëri. Në fakt, ata numërojnë ditët, sa u kanë mbetur për t’u liruar, Dilaveri tha dje: Le të më lirojnë, ju them faleminderit, as në Pazar nuk dal, marr një kazëm dhe shkoj punëtor e më fëmijët do të rri.

“Pëllumbi”

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Suli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Pëllumbi” lidhur me bisedat e bëra nga të dënuarit në burgun e Tepelënës

Marrë nga P.Op. Suli

Burimi: “Pëllumbi”

Tepelenë, 1.12.1971

Sekret

R A P O R T

Burimi njofton se më datën 22.11.1971, kur burimit dhe Xhavit Qeses i erdhi familja dhe meqenëse atë ditë ishte kohë e ftohtë, ne u kërkuam të gjithë kolektivit që të futeshim Brenda para se të vinte ora, me qëllim që të përfundonim takimin, të gjithë pranuan, kurse Koçua në mënyrë demonstrative refuzoi, por më vonë dhe këtij i mbushi mendjen Dilaveri, pas kësaj, u takova me Gjin Markun, i cili më tha: Shiko sa i poshtër është Koçua, ky është kriminel dhe po e pati pushtetin në dorë, të gjithëve na vret dhe na fut në burg, më keq se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, këta janë lule. Por ne, nuk do ta lëmë që të na marrë pushtetin, do ta marrim vetë dhe atij një pension dhe mbrojtje”.

“Pëllumbi”

Dokumenti sekret mbi bisedën e zhvilluar në mes Xhavit Qeses me nënën e tij gjatë takimit në burgun e Tepelenës

DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME Sekret

“ANA E SIGURIMIT TË SHTETIT” Ekzemplar Nr. 1

Tepelenë, më 15.7.1972

I N F O R M A C I O N Nr. 9

Nxjerrë nga biseda e zhvilluar midis Xhavit Qeses dhe nënës së tij, në dhomën e takimit, Reparti 307, datë 15.7.1972

Takimi filloj në orën 17. Dhe mbaroj në orën 17 e 30.

Legjenda:

Xh-Xhaviti

N -ja, Nëna

Xh – Qenke me kollë ti?

N – Po.

Xh – Këto kam… që më kanë ardh (bisedojnë gjëra pa rëndësi)

N – Ilaçet qysh i ke?

Xh – Mirë fort.

N – Analizat kishin dalë të mira.

Xh – A e more letrën time ti?

N – E mora, e mora…Ministrinë.

Xh – Si keni qenë, të gjithë mirë?

N – Mirë, mirë.

Xh – Sabrija, si është?

N – Mirë është (zhvillojnë biseda të ndryshme pa rëndësi).

Xh – Ylli në Shkodër është?

N – Jo, në Elbasan ushtar.

N -….(flet, por s’kuptohet).

Xh – Shumë mirë, shumë mirë. Daja, si ja çon në punë?

N – Mirë, mirë….kam marrë radio, apartament.

Xh – PO televizor ka marrë ai?

N – Jo s’ka marrë.

Xh – Pse?

N – Ku e di unë e shkreta…!

Xh – E kam pa në fotografi, por thuaj si të duash, më ka marrë malli për Krujën.

Xh – Çka m’u bë qejfi për punën e Dritës, po mirë Rrema, nuk…

N – ….(s’kuptohet… i tha: Hajt biri taljanit).

Xh – Ai dhe tezen e ka në Venetik, dy motrat i ka….(vazhdon kjo bisedë, por pa rëndësi).

Xh – Dashamiri me kalamajt?

N – Mirë, mirë i ka…e kërkoj kuadri….

Xh – Edhe në Komitetin Ekzekutiv…

N – (nuk kuptohet…)

Xh – Ti ke shkuar në kryeministri dhe atëhere u njohe me të?

Xh – ….Ai që më bani radioskopi, se jam pa dy herë në radioskopi, ai i pari që shikon gjithë…..edhe civilat që janë, kish shkruar atje që të shkruhet edhe….jo Maksut Selenica, është Petrit Selenica, Petriti ka qenë…….para meje, kanë dalë me Maksutin.

N – Po me Maksut Dërrasën…

Xh – (bisedon gjëra pa rëndësi, tregon se ka qenë i shtruar në spital, ka vuajtur, i kanë bërë radioskopi, etj.)

Xh – Kur të shkojsh, më dërgo një telegram.

N – (Përshëndeten me njëri tjetrin dhe ndahen). Memorie.al

E kontrolloi Punëtori Operativ

Rasim Gogaj

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb