TIRANE- Zyrtarë të lartë të Policisë në Tepelenë komunikonin lirisht me një personazh tashmë të vrarë, konkretisht me shtetasin Elton Çiça, për të cilin dyshohet se ka qenë i implikuar në kultivimin dhe trafikimin e drogës, shkruan “Panorama”. Pak ditë pas arrestimit të shtetasve Haki Hasabegaj, me detyrë shef i rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë dhe Gani Abazi, me detyrë shef i specialistëve të Zonave në Komisariatin e Policisë në Tepelenë, Prokuroria për Krime të Rënda deklaron se ka evidentuar si persona përgjegjës dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal edhe shtetasin Musa Bedinaj, në rolin kultivues dhe organizator. Prokuroria ka siguruar përgjime dhe informacione të tjera, që tregojnë se Haki Hasabegaj gjatë detyrës në Policinë e Tepelenës, por edhe më pas, komunikonte rregullisht me shtetasin Elton Çiça. Ky person me precedentë penalë mbeti i vrarë, pasi u qëllua me dy plumba më 01.05.2016, rreth orës 22:20, në rrugën “Gjin Bua Shpati”, afër shkollës “Emin Duraku”, në mjediset e bar “De Niro”. Elton Naim Çiça, i datëlindjes 24.01.1980, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ndodhej në prani të një zyrtari të lartë të Policisë, në momentin kur u qëllua me armë dhe humbi jetën në Tiranë. Vrasja mendohet se ka qenë pjesë e një seriali të gjatë, të nisur kohë më parë, siç dyshohet, nga përplasja mes grupeve të kultivimit të drogës në zonën e Tepelenës.

AKUZA E PROKURORISË
Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, dy ditë më parë janë lëshuar urdhërarrestet për disa persona, përfshirë edhe punonjës policie, si pjesë e një grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar hetimin për këta persona, të cilëve, pak muaj më parë iu sekuestrua një sasi shumë e madhe lënde narkotike kanabis sativa, e papërcaktuar ende deri më tani, e mbjellë në fshatra të ndryshëm të Vlorës, kryesisht në Vezhdanisht dhe Treblovë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar edhe rreth 2 tonë kanabis në Tepelenë. Po ashtu janë edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si kultivues organizatorë, identiteti i të cilëve nuk mund të publikohet, pasi nuk është realizuar arrestimi i tyre. Ndaj këtyre personave, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale “kultivim i lëndëve narkotike” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Nga të dyshuarit, deri më tani është bërë i mundur arrestimi i zyrtarëve të Policisë, Hasabegaj dhe Abazi, të cilët u prangosën nga ana e oficerëve të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave, si edhe i një prej kultivuesve organizatorë, Musa Bedinaj. Të dyshuarit e tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë operacionit policor. Në kuadër të këtij hetimi, i cili ka nisur nga referimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, në tetor 2016 u arrestuan edhe 6 persona të tjerë, ndërkohë që u shpall në kërkim një tjetër zyrtar policor. Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se Hasabegaj, i cili deri në pranverën e vitit 2016 ishte në detyrën e Shefit të Komisariatit të Tepelenës, mbante kontakte të vazhdueshme me persona që kultivonin lëndë narkotike në atë zonë.

PËRGJIMI
Madje, kur është larguar nga drejtimi i Komisarit të Tepelenës për në detyrën e shefit të rendit në Drejtorinë e Vlorës, duket se një pjesë e këtyre kultivuesve kanë shprehur shqetë¬ simin për zëvendësimin e tij. Nga hetimi rezulton se Hasabegaj ka qenë lidhje e ngushtë e shtetasit Elton Çiça, i cili u vra pak javë pas largimit të Hasabegajt nga Tepelena, në një atentat në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Çiça dyshohej se ishte pjesë e një rrjeti të gjerë kultivimi dhe trafikimi të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës. Çiça rezulton se ka pasur informacion për lëvizjet e drejtuesve në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Ai i shpreh mbështetjen e tij Haki Hasabegajt në momentin që ky po largohej për një Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Në datën 31 mars 2016 është përgjuar telefonata mes Haki Hasabegajt dhe Elton Çiçës:
Eltoni: Ku je o vlla? S`stë rr….për mua?”
Hakiu: Epo ça të bëj unë…
Eltoni: Unë të kam vlla, ti…
Hakiu: Na vuri i ligu para…
Eltoni: Kush?
Hakiu: Ai legeni, i imi dhe i joti …
Hakiu: Kush të ka ç më rr…

Biseda vazhdon duke folur për personat që kanë ndikuar në largimin e Haki Hasabegajt nga drejtimi i Komisariatit në Tepelenë. Po ashtu, Çiça rezulton se ka qenë i informuar se cili do të zëvendësonte Hasabegajn në drejtimin e Komisariatit të Tepelenës, me qëllimin e qartë që të vijonte i pashqetësuar aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike. Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se në rastin konkret ka të dhëna të mjaftueshme për ekzistencën e faktit kriminal, të kultivimit të bimëve narkotike, fakt i cili parashikohet si vepër penale në Kodin Penal. Njëkohësisht, rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal kanë një formë të veçantë bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale, që për nga forma, struktura dhe qëllimi ka formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas përkufizimit të parashikuar në dispozitat e ligjit material dhe procedural penal. Po ashtu, rezulton se secili nga grupet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal kanë krijuar lidhje të më¬ parshme nga punonjës të policive vendore, me qëllim mbrojtjen dhe shmangien nga asgjësimi i bimëve narkotike dhe mosdhënies së informacionit për parcelat e mbjella me bimë narkotike, kundrejt përfitimeve të parregullta./panorama
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb