I ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, analisti Fatos Lubonja, komentoi vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha, për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar.

Sipas tij, kjo lëvizje do e dobësojë Partinë Demokratike dhe do të forcojë më tej, pushtetin e Edi Ramës.

“Nuk kam parë politikan shqiptar që të vendosë interesin e Shqipërisë mbi atë personal. Pushtetin, mbi pushtetin personal, kjo nuk diskutohet dhe ky është problemi. E dyta edhe sa i përket sinqeritetit, çdo politikan shqiptar, duhet t’ia kthesh ato që thotë së prapthi për të gjetur të vërtetën se ku e ka qëllimin. Problemi që kam pasur me çështjen ‘Berisha’ nuk është thjesht Berisha, por metoda me të cilën u hoq ai. Shoh dy probleme të mëdha, 1 që ka të bëjë me raportin e amerikanëve me Edi Ramën dhe qeverinë, ku çdokush mund të ndihet i rrezikuar që një intrigë që mund të bëj një lider i pushtetshëm, që ka arritur të krijoj ca lidhje me disa lobingje amerikane, mundet të të rrëzojë si rivalin e vet me ndihmën amerikane. Kjo është e rëndësishme për demokracinë. E dyta; mënyra se si e hoqi Lulzim Basha nuk është mënyra që do të doja unë dhe që nuk është mënyra për t’u forcuar opozita. Përkundrazi, unë shoh një opozitë që dobësohet. Padyshim Berisha është përgjegjës për shumëçka që po ndodh në Shqipëri që fillojnë qysh herët, është krijuar një sistem për të cilin kanë kontribuar dhe kanë vendosur nga një ingranazh ose më shumë se një të gjithë me radhë. Tani, në vend që kjo parti dhe këta njerëz, të paktën duke u nisur nga preteksti amerikan, për korrupsionin si rrezik për vendin, dhe për SHBA-në, duhet të ishte bërë analizë për të gjithë këtë korrupsion. Por ku i ngre lëvdata pa fund dhe thua ‘e heqim se ashtu duan amerikanët’, kjo tregon impotencë dhe më bën mua të ndihem i pafuqishëm, pasi sepse kam një opozitë që nuk funksionon si balancë apo si ‘bandë’ që i kanë marrë pushtetet.”, tha Lubonja.

Analisti e sheh aksionin politik të Sali Berishës me skepticizëm, pasi është i mendimit se një Berishë 3, nuk do ndërtojë një PD konkurruese.

“Ne shqiptarët e kemi marrë se me amerikanët nuk do të luftohet. Këtu s’bëhet fjalë për luftë ushtarake, apo politika amerikane në një kuptim më të gjerë sepse ne jemi pjesë e NATO-s, e Evropës, s’ka lëvizur kurrë asgjë në këtë drejtim. Në këtë aspekt, këtu bëhet më shumë fjalë për intriga politike, luftë politike, që lidhen sa me interesat që Edi Rama i ka zgjidhur këtyre, siç ishte kjo e afganëve dhe sigurisht edhe me të kaluarën. Korrupsioni është në ‘këmbë’ në Shqipëri. Pashë ambasadoren Kim e cila ia faturoi Bashës këtë vendim. Ata s’e mbajnë përgjegjësinë (PD), se thanë; ‘na tha SHBA’. Albin Kurti i kundërshtoi SHBA-të. Berisha padyshim ka të gjithë mëkatet e veta. Lëvizja e tij dobëson PD dhe nga kjo fërkon duart Edi Rama. Unë luftën e Berishës e shoh me skepticizëm sepse ai në këtë rast ka të drejtë për metodat që thash, por nuk shoh mundësinë që një ‘Berishë 3’ t’i kthehet gabimeve që ka bërë dhe të ndërtojë një PD siç do të doja unë ta ndërtonte. Siç nuk e shoh se mund ta bëjë dhe Basha. Këtu është problemi më i madh. Ata mund të funksiononin këtë siç janë, pasi do të ishim më të fortë. Unë tani i shoh më të dobët, sepse në vend që të merren me mazhorancën do të merren me njëri-tjetrin. Kemi një Ramë që ka kapur institucionet, ka dhe amerikanët me vete. N ë mos e përçan opozitën, kjo situatë e dobëson.

Berisha del dhe bën deklarata që stonojnë. Ai thotë për të gjitha përjashtimet që janë bërë ia vendos fajin Bashës. S’më duket se kjo është forma për të ndërtuar diçka. Do të ketë një përçarje, nuk kanë vizion. Ata s’merrem me korrupsionin që është ndërtuar, por merren me Ramën me njëri-tjetrin. Ndodhemi në pikën më të dobët politike, ndërsa Rama në pikën më të fortë të pushtetit të tij, një pushtet që abuzon. Për mua është ‘dështim’ të Europës, dështim të Amerikës, siç dështuar në Afganistan. ‘Talebanët’ tanë është krimi i organizuar, që ka kapur shtetin.

‘Talebanët’ këtu mbështetën nga Amerika dhe Europa. Amerikanët kanë deklaruar vendimin për Berishën për çështjen e korrupsionit, si kërcënim për gjeostrategjinë amerikane dhe prandaj ky shpallet ‘non grata’. Korrupsioni është argumenti i dhënë publikisht. Nuk besoj se është korrupsioni sepse ka 8 vite që s’ka ikur Berisha. Atëherë kemi të drejtë të ngremë të tjera hipoteza. Ama për korrupsionin s’e besoj. Ajo që më çon më afër është në luftën politike që bën Rama për eliminimin e kundërshtarëve dhe unë këtë e di edhe nga paraardhësit e zonjës Kim. Eliminimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës ka qenë në agjendë. Pse? Sepse është mbështetur ky njeri. Në axhendën e njerëzve që ndihet më afër Rama. Soros është njeri me influencë. Edhe lobingjet janë të rëndësishme. Ajo që tha Vuçiç se; “shiko që po fiton Berisha” dhe ajo qëndron diçka. Albin Kurti është problem. Ai ka mbështetje popullore dhe s’e kanë hequr (Kurti). Përmbledhja është kjo që Evropa dhe SHBA-ja kanë dështuar, ‘talebanët’ janë në pushtet, por kësaj here të mbështetur nga Evropa. Në këtë rast ‘berishizmi’ në kuptimin si fenomen është në kulmin e vet. Përqendrimi i pushtetit në duart e një partie, nëpërkëmbje e të gjithëve, ekonomia e kapur e gjitha. Kjo është në kulmin e vetë. Të luftosh Berishën dhe të forcosh ‘berishizmin’ si fenomen, kjo është katastrofë!”, tha Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb