NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE– Ulja e rritjes ekonomike për gjashtëmujorin e dytë të vitit nuk do të vijë sikurse argumentoi Banka e Shqipërisë nga ndikimi i efekteve të krizës greke, por nga faktorë të brendshëm. Sipas ekspertëve të ekonomisë, shkaqet e vërteta të përkeqësimit të ekonomisë vendase lidhen kryesisht me mungesën e një harmonizimi nga ana e qeverisë të politikave financiare, fiskale e monetare.

Ndonëse në fund të muajit qershor, në kohën kur kriza greke arriti kulmin, krerët e institucioneve financiare siguruan se efektet në ekonominë shqiptare ishin nën kontroll dhe se perspektivat e rritjes ishin pozitive, një muaj më pas Guvernatori i BSH pranoi se Shqipëria nuk është imune ndaj kësaj krize.
“Këshilli mbikëqyrës vlerëson se gjysma e dytë e vitit do të shënoj ritme më të ngadalta rritjeje si pasojë e krizës në Greqi. Efektet më të mundshme do të shënohen në Shqipëri do të përqendrohen në rënien e përkohshme të aktivitetit tregtarë dhe remitancave”, tha Sejko më 6 gusht të këtij viti.
Por ekspertët e ekonomisë nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me të. Zef Preçi argumenton se kriza në Greqi prej 7 vitesh ka amortizuar efektet në ekonominë tonë. Për më tepër sipas tij situata financiare në shtetin fqinj po vjen duke u normalizuar.

“Mendoj që nuk është ky ndikimi, më shumë përdoret si një justifikim që po vjen si shkak i zhvillimeve të jashtme. Jo për faktin se kriza greke nuk ka ndikuar apo nuk ndikon në vendin tonë, por për faktin se periudha kur ka filluar kriza në vendin fqinj, përpara shatë vitesh, në thelb e ka amortizuar këtë efekt, e ka dhënë këtë efekt”, tha Preçi.

Por ku janë, sipas ekspertëve, shkaqet e rënies së pritshmërive ekonomike?

“Në këto kushte faktorët që përkeqësojnë ekonominë janë të brendshëm. Mosrealizimin e të ardhurave e shoh në performancën fiskale, në mungesën e kapaciteteve menaxheriale, si qendror dhe të degëve në tatime, apo të influencës së lobeve të biznesit me politikën. Nuk besoj që sot gjendjen taksambledhës që do të guxonin të penalizonin biznese të mëdha të deputetëve. Edhe ndryshimi i taksave gjatë kësaj periudhe ka ndikuar negativisht duke ngushtuar mundësinë e zgjerimit të konsumit”, vijoi eksperti i ekonomisë.

E nëse rënies me 0,25% të ritmeve të rritjes sipas BSH do t’i shtohen edhe efektet e tjera të brendshme, ku do të shkojë ekonomia shqiptare në pjesën e mbetur të vitit? Në këtë këndvështrim ekspertët janë skeptikë me objektivin e qeverisë. Madje, sipas Preçit, përkeqësimi i situatës ekonomike do ta detyrojë qeverinë ta rishikojë sërish buxhetin.

“Janë të gjitha gjasat që të mos arrihen objektivat për rritjen ekonomike sipas parashikimeve dhe qeveria do të jetë e detyruar të rishikojë sërish buxhetin gjatë vitit për shkak se pritet një përkeqësim i borxhit publik”, u shpreh Preçi.

Këshilla e ekspertëve të ekonomisë për qeverinë është një harmonizim sa më i mirë i politikave ekonomike, fiskale e monetare, që mund të arrihet përmes përmirësimit të performancës fiskale, rritjes së investimeve publike e private si dhe një mbështetje më të fortë ndaj biznesit.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb