Personalitet të shquara të artit dhe fetare nga Shqipëria e diaspora si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe intelektualë beratas janë bërë bashkë për të përkujtuar 5-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Në aktivitetin e organizuar nga Muzeu Solomom dhe bashkia e qytetit, janë mbajtur kumtesa të shumta nga artistë, poetë dhe personalitet fetare që e kanë njohur nga afër Nënë Terezën. Ka qenë shkrimtari kosovar Ndue Ulaj ai që në kumtesën e tij në hapje të aktivitetit ka theksuar se, është shumë e vështirë të gjesh një rast tipik në botë që një grua të ketë përvetësuar zemrat e të gjithëve dhe të quhet “nënë”. “Zoti zgjodhi një grua për barazi, për ta sjellë në jetë dhe që në kohët e luftërave e betejave ajo të kthehej në një nënë për të gjithë shqiptarët e për mbarë botën. Nënë Tereza ndërtoi një perandori të pafund të dashurisë për njeriun, ajo la testamentin madhështor të dashurisë dhe na mësoi ta duam jetën ashtu siç është, pa u rebeluar. Dashuria është vlera më sublime që kemi dhe me të cilën mund ta ndryshojmë botën. Kur mori çmimin Nobel në Oslo Nënë Tereza tha që ishte shqiptare, duke e gdhendur emrin e Shqipërisë në mbarë botën. Këshillat e saj të thjeshta dhe domethënëse janë thesar për shpirtin e njeriut, çdo herë dhe në çdo kohë”-, ka thënë në fjalën e tij shkrimtari kosovar Ndue Ukaj.

Eda Zhiti, e cila ka shkruar e botuar edhe një libër për shenjtërimin e Nënë Terezës, ka folur në lidhje me eksperiencat që kanë ndarë me të në Vatikan personalitete të shquara e të afërta me Nënë Terezën. “Unë isha në Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës, isha pjesë e trupit diplomatik dhe e ndjeva se kisha një detyrë, të dëshmoja mesazhet e grave përfaqësuese nga bota për shenjtën tonë dhe kështu bëra, u mora nga një përshtypje grave ambasadore dhe bashkëshorteve të ambasadorëve dhe bëra librin.

Libri me përshtypjet për Nënë Terezën u botua në Vatikan dhe titullohet “Dita e shenjtë e Nënë Terezës”-, ka thëne Ela Zhiti.
Për Visar Zhitit, Nënë Tereza ishte personifikimi i të mirës mbi të keqen dhe o gjithë sakrificave njerëzore. “Fuqia përbashkuese e saj na mblodhi për të përkujtuar në

Beratin tonë nënën e mbarë njerëzimit”-ka thënë Visar Zhiti.

Don Lush Gjergji, i cili njihej nga afër me të, ka ndarë me pjesëmarrësit kujtimet e tij më të bukura. “Për Gonxhen çdo njeri nuk ishte vetëm njeri por ishte edhe vëlla e motër, ishte vetë Jezu Krishti. Zoti e thirri atë për një mision dhe në 14 gusht 1928 Gonxhja u gjunjëzua dhe mori vendimin për tu bërë motër misionare, për të ndihmuar të varfërit në mbarë botën, kur ishte vetëm 18-vjeçe. E varfëra e botës, që nuk kishte asgjë i dha më së shumti botës ,i dha veten e saj. Ajo thoshte gjithmonë se nëse nuk mund të bënte dot gjë për njerëzit do kërkonte fuqinë e zotit për të vdekur mes tyre”-,ka thënë Don Lush Gjergji. Ai ka theksuar gjithashtu se, çfarë ka parë Nënë Tereza si ka parë askush,16 mijë vetë kanë vdekur në krahët e saj dhe ajo u ka mbyllur sytë. Duke deklaruar se ,ajo shihte, përqafonte, përkëdhelte e puthte

çdo njeri, don Lush Gjergji ka deklaruar se Nënë Tereza ishte e vetmja që ka ngritur 10 qendra humanitare në afërsi të Kalkutës, për njerëzit e varfër e në nevojë.

Magjik ka qenë aktori i madh Mirush Kabashi, i cili i ka përlotur të gjithë gjatë recitimit të një poezie kushtuar shenjtores Nënë Tereza.

Në përfundim të kumtesave kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës, të pranishmit në aktivitet kanë vizituar një ekspozitë me libra dhe vizatime, dedikuar Nënë Terezës, të realizuara me aq mjeshtëri nga piktori i ndjerë Maks Velo.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb