PUKË- Vetëm pak ditë nga zgjedhjet lokale në mbarë vendin, një përplasje mes të rinjve ka ndodhur në qendër të qytetit të Pukës. Ngjarja është shënuar pasditen e kësaj të hëne, ndërsa në pamjet e siguruara nga News24 duken disa të rinj që përplasen mes tyre fizikisht e ndahen nga forcat e policisë.

Fillimisht ngjarja është denoncuar si një incident elektoral nga PD e Pukës, e cila e ka cilësuar situatën në këtë qytet të tensionuar si pasojë e fenomenit të blerjes së votave.

“Sot është shënuar një incident në Pukë. Partia Demokratike hedh poshtë të gjitha aludimet se Partia Demokratike apo simpatizantë të saj kanë qenë të përfshirë në këtë incident. Partia Demokratike në Pukë distancohet nga të gjitha aktet vandale dhe vazhdon të bëjë një fushatë të qetë dhe fituese.

Bëjmë me dije se personat të cilët ishin të përfshirë në incident ishin simpatizantë të PS-së dhe LSI-së. Sipas informacioneve tona këta persona janë konfrontuar në lidhje me shpërndarje të hollash për fushatë. Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë dhe zbardhë shkaqet dhe autorët e dhunës dhe t’i vërë ata para drejtësisë”, ka deklaruar PD, Pukë.

Në një njoftim zyrtar, policia e Pukës ka deklaruar se konflikti mes të rinjve nuk ka qenë për çështje politike por për çështje banale. Blutë e Pukës bëjnë me dije se personat e përfshirë në konflikt janë shoqëruar në komisariat dhe u bën thirrje forcave politike të mos nxisin dhunë e presione. Ka reaguar edhe PS e këtij qyteti, që në një deklaratë për mediat thekson se dënon tentativën e PD për trajtimin si një incident elektoral duke deklaruar se nuk ka qenë i tillë.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: