Për të dytin vit radhazi, Dinamo City siguron një biletë për në fazën “play-off” të Conference League. Ekipi i Ilir Dajës dhuroi një paraqitje fantastike në “Elbasan Arena” duke triumfuar përballë Audës me “poker” golash. Blutë zhbllokuan takimin në minutën e 36-të me anë të Qardakut, ndërsa Qefalia dyfishoi shifrat në fundin e pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë, Dinamo realizoi edhe dy gola të tjerë duke kompletuar kryeveprën e tyre. Falë këtij suksesi, blutë sigurojnë një biletë për në fazën “play-off” të Conference League aty ku do të përballen me qipriotët e Pafos.
Ky rrugëtim i shkëlqyer në Evropë i siguron Dinamos një buxhet të rëndësishëm pasi arkëtojnë të paktën 1,45 milionë euro, por kjo shifër mund të shkojnë në 3,17 milionë nëse arrin të sigurojnë fazën e grupeve të këtij turneu.
