Gjykata e Shkodrës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për katër të rinjtë e arrestuar për përplasjen me armë zjarri në qendër të Shkodrës, tri ditë më parë.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për “BalkanWeb” se të rinjtë, dy nga Durrësit, nga një Maqedonia dhe një nga Shkodra, ishin të pranishëm në gjykatë, për të mësuar masën. Bëhet fjalë për shtetasit Liridon Lushi, 27 vjeç, Arxhend Rexha, 31 vjeç, Ension Buraku, 28 vjeç, dhe Riad Xheladini, 22 vjeç, të cilët do të qëndrojnë në qeli.

Këta persona qëlluan me breshëri plumbash, në qendër të pedonales së Shkodrës, ndaj një “BMW-je” të drejtuar nga shtetasi Mirsad Meta, që ishte dhe shënjestër e atentatit, por që ky i fundit shpëtoi mrekullisht, ndërsa plumbat plagosën rëndë një 35-vjeçare.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit, ndërsa sipas policisë, Mirsad Meta iu është kundërpërgjigjur me plumba personave të arrestuar, por që fatmirësisht nuk pati viktima. Shkak i përplasjes me armë dyshohet se ka qenë prishja e pazareve të drogës.

Katër të arrestuarit akuzohen për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb