Ambasadori Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, i njohur për kontributin e tij politik dhe diplomatik në luftën për lirinë e Kosovës, në librin e tij “Miqësi e Trazuar” botuar nga UET Press, sjell në vëmendje një konferencë të organizuar në Athinë në dhjetor 2005 në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës, ku në një panel ishte i ftuar dhe Veton Surroi.

Siç ka shpjeguar dhe në librin e parë të tij “Për Gjermaninë”, ambasador Zeneli ka shprehur përshtypjet që i ka lënë politikani i spikatur kosovar në takimet me politikanë, diplomatë apo dhe në konferenca.

Për Zenelin në tavolinat ndërkombëtare të bisedimeve Veton Surroi do të përfaqësonte denjësisht Kosovën; me kulturë dhe integritet, pa nacionalizëm fals, e me shumë qartësi. Kështu e kam njohur në mjaft konferenca ndërkombëtare në Bon dhe Berlin, kur isha atje ambasador, në vitet e luftës së Kosovës. “Gjatë viteve të mia në Athinë, në qarqet politike dhe diplomatike Veton Surroi do të vlerësohej si një partner serioz dhe europianist”, shkruan Bashkim Zeneli në librin e tij “Miqësi e trazuar”.

BASHKIM ZENELI

KOSOVA SHKON DREJT PAVARËSISË…

Ato ditë në Athinë do të zhvillohej një panel diskutimi me titull “Statusi i ardhshëm i Kosovës: integrimi euroatlantik apo një kthim në kohën e konflikteve”. Kjo veprimtari organizohej nga ELIAMEP (Fondacioni Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane). Merrnin pjesë studiues dhe politologë të njohur jo vetëm nga Greqia, por edhe nga vende të ndryshme të Europës, përfaqësues të BE-së, të NATO-s, shumë përfaqësues të trupit diplomatik, të MPJ-së, gazetarë etj. Kishte një prani të madhe të medias. Unë shkova së bashku me diplomatin shumë të mirë Perikli Jorgji.

Nga Kosova merrte pjesë z. Veton Surroi, kryetar i Partisë Ora dhe anëtar i ekipit negociator të Kosovës, një personalitet i shquar politik, mediatik dhe publicistik.

Ndërsa nga pala Serbi-Mali i Zi merrte pjesë z. Dushan Batakoviç, ish-ambasador i Serbi-Mali i Zi në Athinë dhe aktualisht këshilltar i Presidentit Tadiç. Ishte një historian i njohur, autor i disa librave në këtë fushë. (Do ta përfaqësonte Serbinë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për çështjen e njohur të Legjitimitetit të Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2010).

Kam shkruar më lart në libër për njohjet me të në Athinë, si ambasador, dhe nuk dua të përsëris që në asnjë bisedë nuk arrinte të kuptonte se çështja e Kosovës gjithnjë e më tepër po shkonte drejt statutit të saj, Pavarësisë, dhe se nuk mund të flitej për asnjë kthim mbrapa.

Kjo veprimtari shumë interesante dhe e kualifikuar drejtohej nga drejtori i përgjithshëm i ALIAMEP, profesori Theodhore Couloumbis, një personalitet i shquar në botën politike dhe akademike të Greqisë. Këshilltari i presidentit Tadiç, z. Batakoviç, do të ndalej në diskutimin e tij në qëndrimet e njohura për “më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi”; për “një zgjidhje paqësore afatgjatë e të paanshme nga të dyja palët” si dhe “vendosjen e këtij procesi nën drejtimin e OKB-së”.

Ai do të theksonte se “raporti i Kai Eides për zgjidhjen e çështjes së statutit të ardhshëm të Kosovës ishte raporti më realist që është bërë ndonjëherë për Kosovën… Ne i kushtojmë shumë rëndësi vendosjes në bazë të njëjta me të drejta të barabarta të ‘komuniteteve kombëtare’ në Kosovë dhe… domosdoshmërinë e ‘ndërtimit të etnicitetit serb në Kosovë…’

Zoti Batakoviç, me terma shumë të përgjithshme, do t’i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbronte “popullsinë e rrezikuar serbe”, të mbronte kulturën dhe vlerat e saj, monumentet dhe institucionet e kultit, që të gjitha, sipas tij, ishin “shumë të rrezikuara nga shqiptarët”.

Ai, me pasion politik dhe larg realizmit, do të shprehej se “çështja e Kosovës nuk ishte përpjekje për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, por ‘luftë për territore…’, se nuk po respektohet Rezoluta 1224 e OKB-së dhe se BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta kuptojnë se nuk mund të imponojnë Serbi-Mali i Zi me kohën e marrëveshjeve të tipit të Dejtonit të kaluar”.

I ngarkuar edhe emocionalisht, këshilltari i Presidentit Tadiç do të shprehej se “ende pa filluar bisedimet për statusin e Kosovës, një nga parimet më të rëndësishme (mosbashkimi me ndonjë shtet tjetër) tashmë është shkelur pasi nuk ka më kufi midis Kosovës dhe Shqipërisë; ato janë tashmë të bashkuara; Kosova me Shqipërinë tashmë kanë krijuar de facto “Shqipërinë e Madhe”.

Veton Surroi, duke e marrë fjalën në këtë konferencë, qartë, drejtpërdrejt, me kulturë dhe me bindje të shprehura, foli se “e vetmja zgjidhje për statusin e Kosovës është Pavarësia. Vetëm kështu mundësohet ndërtimi i një shteti demokratik e funksionues dhe vetëm në këtë kuadër respektohen vlerat e përbashkëta dhe sovraniteti i vendit”.

Fjala e Veton Surroit do të dëgjohej me shumë vëmendje. Ajo ishte pa mllefe e inate, pa entuziazëm fals e pa asnjë lloj provokimi. Ishte thjesht një fjalë e vërtetë, me të vërtetën e madhe se nuk mund të flitej askund, në asnjë kryeqytet dhe në asnjë kancelari thjesht me sloganin “më shumë se autonomi dhe më pak se Pavarësi”.

Nuk ishte koha as e “modeleve” të reja, as e ngjashmërive me Groenlandën e as me Sud Tirolin. Zoti Surroi do të theksonte gatishmërinë në dialogun me Serbinë, por “ne nuk mund të diskutojmë me Serbinë mbi territoret, por mbi njerëzit… Ne jemi kundër krijimit të një ‘Republika Srpska’ tjetër në Kosovë… Ne nuk presim që Serbia të vendosë mbi statusin e Kosovës, por jemi gati të flasim me ta se serbët e Kosovës të mund të ruajnë e ta zhvillojnë gjuhën, kulturën, fenë dhe identitetin e tyre… Ne e shohim veten si pjesë të BE-së në të ardhmen dhe këtu e shohim edhe ardhmërinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës..

Zotit Surroi do t’i bëheshin disa pyetje dhe do t’u përgjigjej me kompetencë dhe frymë të përparuar europianiste.

Në tavolinat ndërkombëtare të bisedimeve, z. Veton Surroi do të përfaqësonte denjësisht Kosovën; më kulturë dhe integritet, pa nacionalizëm fals, e me shumë qartësi. Kështu e kam njohur në mjaft konferenca ndërkombëtare në Bon dhe Berlin, kur isha atje ambasador, në vitet e luftës ë Kosovës. Kështu edhe në këtë seminar të rëndësishëm në Athinë.

Gjatë viteve të mia në Athinë, në qarqet politike dhe diplomatike Veton Surroi do të vlerësohej si një partner serioz dhe europianist.

Dr. Aleksander Yannis, përfaqësues i Këshillit Europian dhe anëtar i stafit të z. Havier Solana, do të fliste qartë për perspektivën europiane të vendeve të rajonit dhe rëndësinë e veçantë që BE-ja i kushton Ballkanit.

Duke folur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, z. Yannis do të shprehej se “BE-ja ka vendosur parime dhe kritere të qarta për t’u përmbushur, si moskthimi prapa i Kosovës në statusin e mëparshëm; përputhshmëria me standardet komunitare e ndërkombëtare; rikthimi i të shpërngulurve, decentralizimi, ruajtja e objekteve të kultit, siguria dhe stabiliteti në rajon, mosmarrja e vendimeve të njëanshme, mospranimi i ndarjes së Kosovës apo i bashkimit me ndonjë vend tjetër, sigurimi i qëndrueshmërisë politike, ekonomike etj.”.

Kjo ishte “gjuha” e Europës në atë vit; formulime strikte, tabu, stereotipe… Nën zë flitej edhe se “e dimë dhe e shohim që Kosova po shkon drejt Pavarësisë, por ju lutem, na lini të punojmë, mos na prishni planet dhe etapat që kemi…”.

Zoti Yannis, qartë, e për kohën dhe atë që përfaqësonte do të thosha me guxim, në përgjigje të një pyetjeje, do të shprehej se ” Europa ka vetëm 2 çështje të pazgjidhura në Ballkan: Kosovën dhe Malin e Zi”.

Formula “më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi” në diskutime apo në pyetjet e drejtuara, u komentua si e paqartë edhe politikisht, edhe juridikisht.

Në një nga pushimet e seminarit, tek po bisedoja me Veton Surroin, na afrohet z. Batakoviç, këshilltar i Presidentit Tadiç. Me të njihesha mirë, pasi kishte vetëm pak kohë që ishte larguar si ambasador i Serbisë në Athinë. Isha përshëndetur me të që pa nisur seminari. Ishte vërtet i hapur dhe miqësor dhe në çfarëdo rrethane, në bisedë, nuk do të linte pa përsëritur vlerësimet më të larta për profesorin tonë të shquar Aleks Buda.

Tek nisëm të flasim, do të më drejtohej: “Zoti ambasador, kemi folur shpesh bashkë për Kosovën… por më duket se tani mund të flasim për ‘Shqipërinë e Madhe’… A e dini se në Kosovë janë shpërngulur tashmë shqiptarët e Shqipërisë të cilët kanë privatizuar pronat dhe kanë hapur atje biznese…”.

E pashë tepër emocional dhe duke qeshur i thashë se ne “nuk kemi kufij” me Kosovën dhe prandaj shqiptarët nga të dy anët hyjnë e dalin lirisht…

“Të flasim seriozisht”, do të më përgjigjej. Ndërsa Veton Surroi, qetësisht, do t’i thoshte se “më shumë se shqiptarët e Shqipërisë, në Kosovë kanë ardhur kinezë… Ata kanë hapur rreth 500 biznese. Kësaj i thua ti ‘Shqipëri e Madhe’, nuk keni asnjë term tjetër, ju ka mbetur mendja vetëm te ‘Shqipëria e Madhe’… I pranoni drejt zhvillimet, e shihni më me realizëm perspektivën… Hajdeni të dialogojmë si duhet, por pavarësia është e pashmangshme”

Dy-tre gazetarëve që më pyetën, do t’u përgjigjesha shkurt se “Kosova… nuk mund të kthehet prapa, por as nuk mund të shkojë në cakun e më pak se pavarësia… As më shumë e as më pak, ajo shkon drejt pavarësisë dhe nuk besoj se kjo do të zgjasë… Është thjesht çështje kohe…”./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb