Biblioteka Kombëtare ka çelur një ekspozitë kushtuar figurës së Branko Merxhanit i lindur në Nish dhe i ndarë nga jeta në Stamboll. Ndonëse jetoi në Shqipëri për vetëm 16 vite, ekspozita rreket të parashtrojë udhëtimin e tij si botues i revistës “Përpjekja shqiptare” dhe ideator i neoshqiptarizmës.

Pirro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, tha se “Ishte vetë propaganda e regjimit komunist ndryshe nga ç’anatemonte shumë figura të tjera, për Branko Merxhanin kryesisht heshtte, dhe ishte ndoshta mënyra më e mirë për t’ia shlyer emrin. Kjo ekspozitë, mundohet të sjellë rrugëtimin e tij dhe pjesën më të madhe të shkrimeve të tij, plus disa materiale arkivore të panjohura më parë si edhe dorëshkrimin e një drame të papërfunduar që e shkroi në Turqi, ‘Tragjedia shqiptare’ për të cilin falenderojmë studiuesin Aurel Plasari që na e vuri në dispozicion”.

Nga shkrimi i njohur ‘Pse unë nuk jam marksist’ që do ta çonte në përplasje me komunistët e parë shqiptarë, te përplasja me ‘Hyllin e Dritës’ dhe qeverinë fashiste, ekspozita shpërfaq dritëhijet e një figure me ndikim në qarqet kulturore të viteve 1930. I ikur nga vendi për të udhëtuar Greqisë e mandej Turqisë, ai nuk i kthye më kurrë në atdhe. Shqipëria që ai njohu rrekej të ikte nga mesjeta në kohë moderne.

“Mjaft të rëndësishme janë polemikat e tij me klerin katolik për koncepte bazë si kultura e raca. Me Bota sot të Korçës që ishte krahu i majtë ekstrem dhe me kulturën islame me komunitetin mysliman një ankesë e të cilit që bëri që revista të mbyllje për 4 muaj me”. Për Mishën disa prej çështjeve të shtruara nga Merxhani, janë aktuale, edhe sot pas 100 vitesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb