Anëtari i Kryesisë së PD-së së Rithemelimit, Belind Këlliçi në një dalje për mediat ka reaguar për arrestimin e zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla, si dhe 7 personave të tjerë.

Në një dalje për mediat, Këlliçi akuzon zëvendëskryeministren Belinda Balluku se ka firmosur faktin e Veliajt si fajtor për inceneratorin e Tiranës.

DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, BELIND KËLLIÇI

Të nderuar qytetarë,

Në 24 orët e fundit, jeni bërë dëshmitarë të një përplasje të egër mes dy organizatave kriminale më të mëdhaja në vend, organizata kriminale e kryeministrisë dhe ajo e bashkisë Tiranë.

Menjëherë pasi banda mediatike e bashkisë nisi të pomponte lajmin e denoncimit të përfshirjes së Olsi Ramës në laboratorin e kokainës në Xibrakë, Edi Rama u kundërpërgjigj me një rrufe ‘5D’ mbi Bashkinë Tiranë.

Arrestimet dhe masat e sigurisë të dhëna ditën e djeshme për 5 drejtorët e bashkisë Tiranë, përkatësisht famozi Mariglen Qato, Redjan Molla, Enton Punavija, Eglantina Zëre dhe Deborah Keçi, janë maja e ajsbergut dhe një formë e Erion Velisë për të goditur bashkëpunëtorët në krim dhe për të shpëtuar lëkuren e tij.

I kujtoj SPAK-ut se brenda kallëzimeve të mia për bashkinë Tiranë, gjenden emrat e drejtorëve të tjerë famozë të bashkisë, përkatësisht: Elton Kacidhja, Elvin Tivari, Herion Rrapaj, Ermal Kapllanaj, Arben Maloku dhe Alban Dokushi, drejtori famoz i zhdukjes së pronave publike në bashki, i lidhur ngushtësisht me ndërtuesin po aq famoz të 7 kateve pa leje në mes të Tiranës, Armand Lilon.

Të nderuar qytetarë,

Të gjithë drejtorët e bashkisë Tiranë të burgosur deri më tani si dhe pjesa tjetër që është në pritje të akomodimit në qeli, janë shtabi elektoral i Erion Veliajt në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Këta individë, pa asnjë përjashtim, janë personat të cilët përmes terrorit, shantazhit, presionit të hapur, blerjes së votave me paratë e korrupsionit bashkiak, kanë tjetërsuar vullnetin e qytetarëve të Tiranës.

Sa i përket arrestimit për herë të dytë të Taulant Tushës, shefi i shtabit elektoral të Erion Veliajt më 14 Maj, ndërkohë që është në qeli për çështjen e inceneratorëve, kjo është thjeshtë metoda e këtij grupi të strukturuar kriminal, për të intimiduar bashkëpunëtorët në krim për të mos folur për aferën korruptive më të madhe në historinë e shtetit shqiptar, atë të inceneratorit të Tiranës.

I them Erion Veliajt sot, se fatin tënd e ka firmosur me emrin e saj vetë zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Energjisë dhe Transportit znj. Belinda Balluku, në shkresën e datës 10 korrik, të vitit 2023, ku të fajëson ty personalisht se qëllimisht ke bllokuar Njësinë e Zbatimit të Projektit në inceneratorin e Tiranës, duke pamundësuar strukturat shtetërore për ushtrimin e kontrollit dhe monitorimit, në mënyrë që ti të zhdukje paratë e inceneratorit tënd në vende offshore.

Erion Veliaj, edhe këto llogari offshore ku prestanomet e tu kanë transferuar paratë, do të bëhen publike shumë shpejt. Ti si pronar faktik i inceneratorit të Tiranës, do të përgjigjesh personalisht për këtë aferë.

Garantojmë qytetarët shqiptarë, se koha e opozitës së shitur ka marrë fund. Por mbi të gjitha, koha e dy organizatave kriminale në vend, asaj në kryeministri dhe asaj në bashkinë Tiranë, po ashtu ka marrë fund.

Qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, janë e vetmja alternativë për ta çliruar vendin nga kjo bandë e korruptuar.

O sot, o kurrë.

Ju faleminderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb