Azerbajxhani konfirmoi se ka sulmuar një lokacion nga ku lëshohen raketat në Armeni. Sipas zyrtarëve në Baku, ky lokacion është përdorur për të sulmuar zonat e civilëve.

Armenia dhe Azerbajxhani janë duke zhvilluar luftimet më të ashpra në disa vite për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

Qindra civilë dhe ushtarë janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve më 27 shtator.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha të mërkurën se ka shkatërruar një sistem raketor “në rajonet kufitare të Armenisë, pranë rajonit të okupuar Kalbajar”. Ajo tha se nuk kishte “asnjë infrastrukturë civile” në atë vend.

Një zëdhënëse e Ministrisë armene të Mbrojtjes e konfirmoi sulmin e Azerbajxhanit, por mohoi se vendi i saj ka qëlluar në drejtim të Azerbajxhanit ose në zonat civile.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, akuzoi palën armene për “përpjekje për të sulmuar dhe marrë kontrollin e tubacioneve tona [të gazit]”. Duke folur për një media turke, Aliyev paralajmëroi se nëse përpjekja vazhdon, “rezultati do të jetë i rëndë për armenët”.

Kryeministri armen, Nikoll Pashinian, e cilësoi situatën si “shumë të vështirë” dhe tha se qëllim i Azerbajxhanit është të marrë plotësisht kontrollin e Nagorno Karabakut.

Nagorno Karabaku është i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset dhe është i populluar nga armenët etnikë. Dy ish-republikat sovjetike, Azerbajxhani dhe Armenia, kanë zhvilluar një luftë për këtë rajon edhe më 1988-1994, e cila ka lënë rreth 30,000 njerëz të vrarë./ rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb