Një autokolonë e sigurisë së presidentit kolumbian, Gustavo Petro, u sulmua me armë zjarri në rajonin Katatumbo në kufirin me Venezuelën, ku presidenti Petro planifikon të udhëtojë ditën e sotme.

Ekipi i sigurisë kishte për detyrë të kontrollonte rrugën për të shmangur pengesat.

“Ngjarja ndodhi në sektorin San Pablo, kur të paktën gjashtë individë, siç thuhet, kishin ngritur një pikë kontrolli të paligjshme. Autokolona e injoroi ndalimin, prandaj ata u goditën me armë zjarri”, thuhet në një deklaratë nga Presidenca e Kolumbisë.

Qeveria e Kolumbisë deklaroi se nuk ka të lënduar apo viktima dhe se udhëtimi i planifikuar për në Katatumbo nuk ka ndryshuar.

Guerilët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare (ELN), ish-luftëtarët e FARC-ut që hodhën poshtë marrëveshjen e paqes të vitit 2016 me qeverinë dhe grupet e armatosura kriminale të përfshira në trafikun e drogës janë aktive në rajonin e trazuar të Katatumbo-s ku prodhohet kokaina.

Helikopteri i ish-presidentit Ivan Duque u godit nga disa plumba në sulmin e qershorit të vitit 2021 ndërsa po fluturonte mbi rajonin Katatumbo drejt qytetit të Kukuta në provincën Norte de Santander.

Ngjarjet e së mërkurës vijnë disa ditë pasi presidenti Petro njoftoi pezullimin e urdhrave të ekstradimit kundër negociatorëve guerilë të ELN-së, në mënyrë që të rifillojnë bisedimet e paqes që u ndërprenë gjatë qeverisë së Duque-s.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb