Policia e Shtetit në bashkëpunim me homologët turq kanë finalizuar operacionin “Përtej kufijve” në Manisa të Turqisë pasi kanë shpërbërë një grup kriminal të lëndëve narkotike.

Nga operacioni u arrestuan 4 shtetas turq dhe u shpallën 2 shtetas shqiptarë dhe 1 turk tjetër, ndërsa autoritetet sekuestruan 3 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 8.6 kg marijuanë, 9 pako me drogë sintetike dhe 211 bimë narkotike të kultivuara.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit/Finalizohet një tjetër operacion policor ndërkombëtar, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni policor i koduar “Përtej kufijve”, falë bashkëpunimit të Policisë shqiptare me Policinë turke.

Sekuestrohen në Manisa të Turqisë, 3 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 8.6 kg marijuanë, 9 pako me drogë sintetike dhe 211 bimë narkotike të kultivuara.

Është arrestuar 1 shtetas turk, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar penalisht. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 2 shtetas shqiptarë dhe 1 shtetas turk, si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Policia e Shtetit siguroi informacion se në Manisa të Turqisë, disa persona ushtronin veprimtari kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Informacioni i siguruar nga Policia shqiptare i është përcjellë menjëherë homologëve turq, të cilët organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përtej kufijve”.

Në kuadër të operacionit, u bë e mundur që në Manisa të Turqisë, të evidentohej vendi ku ishin kultivuar bimët narkotike. Gjatë operacionit, Policia turke sekuestroi 3 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 8.6 kg marijuanë, 9 pako me drogë sintetike dhe 211 bimë narkotike të kultivuara.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë 1 shtetas turk dhe u proceduan penalisht 3 shtetas të tjerë turq.

Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim, për veprën penale “Trafikimi i stimulantëve dhe lëndëve narkotike”, 2 shtetas shqiptarë dhe 1 shtetas turk, pasi janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Policia e Shtetit është e vendosur që bashkërisht me partnerët të luftojë me profesionalizëm krimin e organizuar, duke zhvilluar hetime dhe operacione të përbashkëta, brenda dhe jashtë kufijve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb