TIRANË

Gjykata penale e Tiranës vendosi sot pezullimin nga detyra të Kreut të FSHF, Armand Duka pasi prokuroria e ka marrë nën hetim nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit.

Por ky nuk është rasti i vetëm kur gjykata merr një masë të tillë, ndaj një titullari të një prej institucioneve më të rëndësishme në vend.

Në vitin 2016, masa e pezullimit nga detyra u mor edhe ndaj Haki Çakos, asokohe drejtues i Policisë së Shtetit. Me të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës Çako u vu nën hetim nga organi i akuzës, në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit, e njohur si “IMSI Catcher”.

Ashtu si në rastin e sotëm ndaj kreut të FSHF, Armand Duka, pezullimi i Haki Cakos u bë me vendim gjykate pas kërkesës së Prokurorisë, me qëllim mos cënimin e provave. Asokohe z.Çako u tërhoq nga posti për të cilin mbante duke ia lënë në dorë drejtësisë, ndërsa vijoi betejën gjyqësore në Apel, i cili pa të arsyeshme ta rrëzojë këtë vendim të shkallës së parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: