“Në informacionin që na jep ISHP, situata e grupit është brenda normalitetit të sezonit. Të gjitha gjasat janë që mos të hyjmë në atë që quhet ‘epidemi e gripit’”. Kështu deklaron mjeku infeksionist Pëllumb Pipero. I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ Pipero tha se në vendin tonë nuk ka pasur raste me komplikacione nga gripi, apo deri në përmasa fatale, vdekjet.

“Në opinionin tim nuk kam të dhënë për pediatrinë. Në informacionin që na jep ISHP, situata e grupit është brenda normalitetit të sezonit. Të gjitha gjasat janë që mos të hyjmë në atë që quhet epidemi e gripit. Ajo çka vë re, nuk kemi pasur raste të rënda apo komlikacione. As vdekje jo.”, tha Pipero. Ky fakt u mbështet dhe nga shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino. Ajo theksoi se tashmë jemi në sezonin e gripit, ndërsa shtoi se situata po monitorohet.

“Intensiteti është mesatar. Kemi një rritej nga intensiteti i ulët në atë mesatar. Por jemi në sezon gripi. Kjo monitorohet në vazhdim.”, pohoi Bino. Ndërkohë ministrja Manastirliu tha se jo të gjithë prindërit duhet t’i drejtohen bashkë me fëmijët Pediatrisë në QSUT, pasi janë në gatishmëri dhe qendrat shëndetësore.

“I mirëkuptojmë shumë prindërit që shqetësohen për fëmijët dhe u duhet që të shkojnë në qendrën më të afër shëndetësore. I shkon mendja direkt tek urgjenca e Pediatrisë. Sistemi ynë shëndetësor ofron ndihmë të specializuar tek mjeku i familjes.”, tha ajo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb