Trajneri i sapoemëruar në pankinën e Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, do të publikojë këtë javë listën e futbollistëve të përzgjedhur për ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut që kuqezinjtë do të luajë në javën e ardhshme.

FSHF ka dërguar ftesat për një numër të madh lojtarësh, nga të cilët më pas Maran do të përzgjedhë ata me të cilët do të punojë për këto dy sfida ku do të nisë edhe projektimi i ekipit me të cilin Shqipëria do të përfaqësohet si fillim në Ligën e Kombeve.

Një nga emrat në listë është edhe ai Kristian Shpendit, sulmuesit i cili ka bërë mirë në këto vite me Çezenën në Serinë B, duke u kthyer në një nga lojtarët kryesorë të klubit italian. Shpendi është konfirmuar si një golashënues me këtë ekip dhe mund të jetë një alternativë e rëndësishme për sulmin kuqezi. Ai ka veshur vetëm një herë më parë fanellën e Kombëtares, në miqësoren ndaj Gjibraltarit ku edhe fitoi penalltinë e fitores 1-0.

Shpendi mësohet se është një nga emrat në listën e madhe që ka marrë ftesë, ndërsa pret që gjatë kësaj jave të njoftohet nëse do të jetë edhe në listën përfundimtare të Maran. Ajo sigurisht do të ketë pjesën më të madhe të emrave që ishin me kuqezinjtë nën drejtimin e paraardhësit të tij, Silvinjo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: