Policia e Peqinit ka identifikuar dhe arrestuar autorin e plagosjes së punonjësit të burgut.

Mësohet se autori ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov ndaj punonjësitë 41-vjeçar, i cili fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, uniformat blu kanë sekuestruar armën e zjarrit dhe vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e plagosjes.

Njoftimi i policisë:

Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen ku u lëndua lehtë nga një plumb qorr, një punonjës i IEVP Peqin.

Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar, i cili ka qëlluar në ajër në një kodër të fshatit Progër.

Policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën me të cilën autori ka qëlluar në ajër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës të mirëorganizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Peqin, i shtetasit G. K., 35 vjeç.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas, në kodrat e fshatit Progër, Peqin, ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe për pasojë u lëndua lehtë nga një plumb qorr, shtetasi I. P., punonjësi i IEVP Peqin.

Po si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë gjetën në automjetin e autorit të dyshuar edhe armën me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër ky shtetas.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb