Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka deklaruar se Uashingtoni ka në plan të nxisë armiqësitë në Ukrainë që do të çonte në zhvillimin e luftës të paktën deri në fund të vitit 2025.

Zakharova u shpreh se një deklaratë të tillë e bazon në të dhëna të publikuara nga kontratat amerikane të armëve.

“Uashingtoni planifikon të nxisë armiqësitë në Ukrainë të paktën deri në fund të vitit 2025. Plani i tyre bazohet në dokumente që ata nuk ia fshehin askujt, të cilat kanë lidhje me armët”, theksoi Zakharova, transmeton media ruse TASS.

Zakharova thekson gjithashtu se administrata Biden synon të bindë Kongresin që të përfshijë mbështetje shtesë për Kievin në shumën prej 37 miliardë dollarësh në buxhetin për vitin 2023 dhe se pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të dedikohen për ushtrinë ukrainase.

“SHBA kontrollon Ukrainën dhe e sheh atë si një mjet për të arritur qëllimet e veta gjeopolitike në konfrontimin me Rusinë,” vuri në dukje Zakharova.

Kongresi amerikan miratoi dje propozimin e Ligjit për politikën e mbrojtjes kombëtare për vitin 2023, me një vlerë totale prej 858 miliardë dollarësh, në bazë të të cilit vitin e ardhshëm në Ukrainë do të dërgohet një paketë e re e ndihmës për sigurinë, raportojnë mediat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: