Platforma Europiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes ka kërkuar nga kandidatja për deputete e PS, Luljeta Bozo të kërkojë falje për deklaratat e saj për diktaturën e Enver Hoxhës si dhe të japë dorëheqjen.

Në një deklaratë, PEMC ka dënuar deklaratën e Bozos se në kohën e Hoxhës ‘’kishte më shumë të mira, se të këqija’’.

Sipas PEMC, shqetësim mbetet edhe fakti që PS nuk u distancua teksa deklaratat janë një njollosje për kujtesën e mijëra viktimave nga diktatura e Hoxhes.

Deklaratat e Luljeta Bozos shkaktuan replika dhe reagime nga opozita kryesisht, teksa inxhinierja e cila kontribuoi gjatë tërmetit, sot është kandidate e PS në Tiranë.

DEKLARATA NGA PEMC

Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane shpreh shqetësim të thellë në lidhje me deklaratën nga kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, e cila u shpreh se komunizmi ishte një “diktaturë kushtetuese” që “zhvilloi Shqipërinë”, dhe se diktatori komunist Enver Hoxha kishte “më shumë anë pozitive sesa negative”. Ajo që na shqetëson akoma më shumë është se Partia Socialiste nuk u distancua nga fjalët e kandidates së saj.

Shqipëria ishte një nga vendet më të prekura nga komunizmi. Një mohim i tillë historik njollos kujtesën e mijëra viktimave dhe bie ndesh me vlerat themelore demokratike si: e vërteta dhe drejtësia. Glorifikimi i çdo regjimi totalitar nuk duhet të pranohet në jetën publike. Platforma mbështet me gjithë zemër përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që znj. Bozo të kërkoj falje dhe të jap dorëheqjen.

Platforma mbështet me forcë qëndrimin e Parlamentit Europian, shprehur në rezolutën e 19 Shtatorit 2019 mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës, në të cilën parlamenti “dënon të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare” dhe “shpreh respekt të thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve të BE-së që të bëjnë gjithçka për të siguruar që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut të kujtohen dhe të dalin para drejtësisë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb