Janë zhvilluar sot finalet e play-off-it të kampionatit “Kategoria e Dytë”, ku dy përballjet kanë dhuruar rivalitet dhe emocione deri në fund, me verdiktet që u përcaktuan vetëm nga goditjet e penalltive.
Në grupin A, ndeshja mes Sopoti dhe Shirokës përfundoi në barazim 1-1 në kohën e rregullt, ndërsa edhe shtesat nuk prodhuan gola. Nga pika e bardhë u tregua më i saktë Sopoti, që triumfoi 4-2 dhe siguroi kualifikimin.
Në grupin B, sfida mes Butrintit dhe Bylisit B u mbyll 0-0 në 90 minutat e rregullta, ndërsa gjithçka u vendos sërish nga penalltitë. Bylis B fitoi me rezultatin 5-4, duke prerë biletën për në fazën e fundit.
Pas këtyre rezultateve, janë përcaktuar edhe çiftet finale për ngjitjen në “Kategorinë e Parë” apo qëndrimin në “Kategorinë e Dytë”.
Sopoti do të përballet me AF Luftëtarin, skuadrën e renditur në vendin e nëntë në “Kategorinë e Parë”, në një ndeshje vendimtare për fatin e dy ekipeve.
Ndërkohë, Bylis B do të luajë ndaj Kukësit, që e mbylli kampionatin e “Kategorisë së Parë” në vendin e dhjetë, në një tjetër përballje direkte që do të përcaktojë ekipin që do të jetë pjesë e “Kategorisë së Parë” sezonin e ardhshëm.
