POGRADEC

Policia e Pogradecit ka vendosur në pranga 26-vjeçaren Xhuljana Hoxha, e cila po transportonte 2 emigrantë të paligjshëm.

Lajmi është bërë i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Lorena Kodra, e cila sqaron, se ky aksion është finalizuar nga Forcat Shqiponja dhe Agjentë të Trafikut.

Mësohet se Hoxha, e cila ishte dhe drejtuesja e mjetit ku po tranpostoheshin emigrantët, është shoqëruar në komisariat, e bashkë me të, edhe shtetasit e huaj.

26-vjeçarja, është ndaluar nga policia në afërsi të fshatit Potgorie, teksa po tentonte të kalonte emigrantët përtej kufirit.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

U kap duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga një 26-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Forcat Speciale “Shqiponjat”, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetases Xh. H., 26 vjeçe, banuese në Korçë.

Kjo shtetase është kapur nga shërbimet e policisë, pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 2 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po punohet për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale, të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb