Sot nis reforma anti informalitetit dhe kryeministri Edi Rama garantoi se aksioni nuk do të jetë kundra biznesit të ligjshëm, por do të penalizojë të gjithë ata që nuk janë duke respektuar ligjin. E ndërsa ai fliste në nisje të aksionit masiv kundër informalitetit, rrjetet sociale ishin të mbushura me foto ku dhjetra dyqane rezultonin të mbyllura në rrugët kryesore në Tiranë.

“Po vjen era shtet,” paralajmëroi Edi Rama. “Nuk po e teprojmë aspak me hekurat në duar”.

“Me këto taksa do bëjmë qytetërimin që duam,” tha kryeministri.

Kështu ‘era e shtetit’ ka sjellë uljen e qepenave të shumë dyqaneve në kryeqytet. Edhe pse këto biznese qëndrojnë hapur dhe në ditë festash, madje dhe për Vitin e Ri, sot me reformën e qeverisë, mbyllen nga frika e gjovave.

1 Shtatori shënoi sot edhe nisjen e ditës së parë të aksionit kundër informalitetit në kryeqytet. 600 tatimorë kanë zbritur në terren për të zbuluar të gjithë bizneset e paligjshme apo ato me evazion fiskal.

Disa prej bizneseve kanë gjetur rrugën e heqjes së emrit, me shpresën se kështu do t’i shpëtojnë kontrollit të tatimorëve, ndërsa të tjerë shkojnë edhe më tej; jashtë kamerës ata tregojnë se gjatë ditës i mbyllin qepenat dhe punën e kryejnë në orët e mbrëmjes deri natën vonë.

Por cilat janë ndëshkimet që merr blerësi apo biznesi për produktin apo shërbimet?

1 Mungesa e kasës fiskale
– Hera e parë e konstatuar, gjobë në masën 50 mijë lekë
– Konstatimi i së njëjtës shkelje për herë të dytë, konfiskimit të të gjithë sasisë së mallit.
– Vazhdimi i kësaj shkeljeje, e përsëritur, evazion tatimor dhe ndjekje penale.

2 Për moslëshimin e kuponit tatimor nga bizneset,
– Gjoba shkon nga 200 mijë lekë për subjektet e tatim-fitimit
– 50 mijë lekë për bizneset e tjera.

3 Mosmbajtja në kushte pune e pajisjeve fiskale ose sistemeve të monitorimit të qarkullimit,
gjobë në masën 40 mijë lekë dhe kur nuk njofton për difekt në kasën fiskale, gjobë në masën 25 mijë lekë.

4 Mosmarrja e kuponit tatimor për një individ blerës,
gjobë në masën 1 mijë lekë

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb