NGA MYSLYM PASHA*

1. SHTYSA URBANE
Fluturoj në “Google Earth”* dhe qëndroj mbi Valamare, përmidis 12 liqeneve me origjinë
akullnajore. Përfshihem nga një ndjesi romantike topografike, teksa vrojtoj përfytyrimin qytetor të nesërm të Bashkisë së Pogradecit.
Ndërkaq përhapet edhe një informacion dixhital për Tejqyrat (Syzet) Virtuale që iu ofruan Kryeministrit të Shqipërisë dhe bashkëshoqëruesve të tij, një javë më parë, për të vështruar në stereoskopi të thellë Tiranën pranverore të sotme, kur sapo ishte propozuar se prej formacioneve gjeologjike, të gurëve, burimorë do të sillen për zbukurim e peizazh pjesë gjeonatyrore në krijimin e një shëmbëllimi origjinal amtar të kryeqendrës.
Fillimi i reportazhit nga Valamare, e s’ecën dot edhe pse ofrohen “Tejqyra Virtuale”, edhe pse “do të sillen gurë nga rrethinat etnike për në Tiranë”, panorama politike, gjendja ekonomike e sotme, dëshira
për të ikur dhe për braktisje më përplas në podiumin ku dua të Thërres në “skype” edhe një herë stërgjyshin e Gjon Muzakës, që iku nga Opari e nga Muzakia, në braktisjen pasosmane, për të medituar
dhimbjen e sotme tronditëse të braktisjes. Hamendoj se nga e bëri vallë, atë udhën e parë të largimit, nga lugina e Osumit apo ajo e Devollit? Braktisja më kërcënon teksa meditoj për hulumtim të
analizave dhe vlerësimeve për Planin e zhvillimit qytetor vendor Territorial.

Megjithatë, para studiuesve dhe menaxhuesve të Bashkisë së Pogradecit dua të ndjell gjeohistorinë, se mbase më mjekon plagët që ia kemi hapur vetvetes. Këta njerëz të rrënjës kërkojnë të mbështeten
mbi shpresën, që t’u thërresim të ikurve, të kthehen, që t’iu drejtohemi burimeve natyrore të pambarimta ku ka gjëllirë jeta.

2. GJYMTYRËT E BASHKISË SË POGRADECIT SI NJË PËRKUNDJE MAGJIKE
Nga Mali i Thatë, të zbresësh në Drilon e Tushemisht, aty të shikosh se së bashku me ty ka ardhur Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël që gurgullojnë poshtë malit, tek hyjnë në liqenin e Ohrit, pastaj me
“perëndim të vagëlluar…” të Lasgushit nga Ohri del Drini i Zi që rrjedh deri në Bunë, ku kuvendon Deti i shqiptarëve.

Gjymtyra tjetër e Bashkisë së Pogradecit fluturon mbi Mokër dhe ngjitet gjer në Valamaren e 12 liqeneve akullnajorë në 2373 metër mbi nivelin e detit. Dhe prej aty lindin buronjat e para të Shkumbinit
dhe nga krijohet pellgu ujëmbledhës i tij. Bashkia e sotme ka një rikrijim virtual romantik aq madhështor e mahnitës se si do ta përfytyrojë vetveten deri në vitin 2030 të këtij shekulli.
Mirëpo unë sërish e marr një goditje tjetër gjersa në kumtesat që shpërfaqen nga studiuesit dalin statistika të dridhshme, të “rrudhjes” së demografisë dramatike, të aspekteve shoqërore dhe ekonomike, të infrastrukturës, të gjendjes së bujqësisë e blegtorisë, të mosangazhimit të shtetit, për pyjet e ujitjen, turizmin.

3. PELIONI I ËNDRRAVE URBANE
Lyhnidas, vendbanim Ilir i Enkeleasve me këtë emërtim të bartur që nga Straboni. Bazilika Paleokristiane e Linit sjell shëmbëllim të Krishterimit. Dhe më këndej gjurmët urbane i përcjell Evlia Çelebi që në vitin 1662 ”Pogradeci, një qytet i ëmbël me çati të kuqe, me gjashtë­ qind shtëpi, katër xhami dhe dy shkolla, pesëdhjetë dyqane”.

Dilni e shihni nga Maja e Kalasë, se ç’mbresë qytetore tipike mund të shihni!? Apo vështroni nga Zbritja prej qafës së Plloçës, se ç’përshtypje ka perspektiva ndërtimore në pasqyrën verore të liqenit!?
Mbetesh i zhgënjyer sado që kemi dëshirë që të tërheqim turistë. … Kumtesat vijojnë, përfytyrime urbane dhe gjendje të sotme, tipologji e denduri, shtrirje dhe popullsi, dhe sërish ekonomi. Ndërkohë ne kapërcejmë Çervenakën, majën e Beshenikut, vështrojmë gjethoren ujore dhe harkun e relievit të krahinës që s’e gjen një të dytë në gjeografinë fizike të Shqipërisë. Dhe sërish na thërret gjeohistoria… Në Mokër jeta është zhvilluar në vijimësi dhe në një lulëzim historik. Gjatë shekujve të 5­të e 4­t kjo luginë e epërme e Shkumbinit ka qenë qendër e Mbretërisë së Parë Ilire, e Bardhylit dhe
Klitit, birit të tij. Pelioni dhe varret monumentale në Selcë të Poshtme përbëjnë polin e dytë gjeohistorik të Bashkisë dhe planëzimeve të nesërme.

Ne ecim në një hamendje se ka një reshperim të dytë të EGNATIA­s përgjatë luginës së Epërme të Shkumbinit me gjurmë të urës së Golikut, të Terziut në Proptisht, të Llëngës, pastaj në përkalim gjer në Qafë të Panjës (1687 metër), ku në Niçë zbriste “ndofta” ajo rrugë si degë për të lidhur Gorën e Oparin.
Shihni, pra, se si është jetësuar jeta e shqiptarëve në shekuj, dhe ne të sotmit e kemi lënë në këtë gjendje të rrënimit e mjerimit. Pikturat e Kostandin Shpatarakut, që ndodhen në kishën e Llëngës, po
rizgjohen.

4. SYTHE
Kërkojmë zëra dhe energji për t’u mbështetur. Vijnë buronja kumtesh, edhe pse të shpërndara, se po gjëllin jeta, dhe s’e ka kush mendjen për t’i bërë ato të njohura. Se po vijnë të ikurit e para njëzet
e ca vjetësh dhe po ngrenë shtëpi të bukura në troje. Se po mbjellin vreshta e pemëtari, me lajthi e qershi, ashtu siç kanë parë atje ku kanë qenë në emigrim.

Se një fermer holandez ka mbërritur para do vjetësh në Njësinë Vendore të Velçanit, mbasi ka parë kushte shumë të mira për kultivim të patates dhe ka arritur që të merren 700 kv/ha! Se brenda fshatrave
janë shtruar rrugë… Se po zgjerohet blegtoria! Se ka projekte për t’iu ngjitur me turistë majës së Valamares. Pra: le ta largojmë dëshpërimin, sepse shpresa ka çelur sythe.

Vijojmë analizën në metabolizmin e ndryshimin nga këto qeliza të organizmit të Bashkisë në rijetësim për të bërë shndërrimin urban.
Ing. Avni Myrte të flet herë si pylltar, herë si biolog e mjedisor, sjell libra dhe të befason me përfytyrimet e tij. Për të nesërmen e pyjeve të flet Ing. Flamur Çerra, e për ujërat Ing. Selami Hoxhallari. Ndërkaq studiues të IDRA­s dhe ekspertë të saj ulen me specialistët. Midis tyre
Prof. Dr. Shkëlqim Zeqo, Prof. Dr. Sazan Guri, Inxhinierët urbanistë dhe arkitektë: Agaraj, Çobo, Burrja ekonomistja: Elira.

5. EPILOG ME “TELLALL”, ”SYZE VIRTUALE” DHE ATAVIZËM
Kam një hartë austro­hungareze të vitit 1917, Tirana si një mëhallë e gërrmuqur. Aty është edhe emri “Skanderbej” në sheshin me pellgaçe dhe baltë… Pastaj, në mes të tij, simboli i Tellall­it (shpërndarës i kumteve, lajmeve, informacioneve). Si një shoqërim të hershëm për Pogradecin vinin “gjashtëqind shtëpi me çati të kuqe” nga Evlia Çelebiu.

Unë që u talla me “Syzet Virtuale” në fillim të reportazhit, ndërrova mendje, dhe ato nuk kanë pse të ma prishin arkitekturën e shkrimit, mbasi ne përfytyrojmë koordinatat e nesërme. Pogradecarë të sotëm,
edhe pse me një lloj trishtimi, shpresojnë që të ndërtohet një Teleferik nga Driloni në majë të Malit të Thatë. Kjo mund të ishte një mbyllje si një vulë… Ne sapo kishim mbaruar konsultën hulumtuese
dhe po përshëndeteshim me Eduard Kaprin, Kryetarin e Bashkisë, kur një lajm ia bëhu nga Tirana.
Një ish­Kryeministër nga podiumi politik shkatërrimtar kthehej te Tellalli i dikurshëm dhe prej andej kumtonte: “Merrni armët kundër Qeverisë!”. Ne jemi nisur tek ëndrra e amfiteatrit natyror dhe po
ngjitemi në Teleferikun e kohës. Thirrjet që vinin ishin atavizma.

* Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: