NGA ELTON DONO*

POGRADEC- Pak ditë pas përmbytjeve, në qytetin dhe rrethinat e Pogradecit gjendja është thuajse alarmante për shkak të dëmeve të shumta që shkaktoi vërshimi i përrenjve dhe lumenjve nga malet e Mokrës drejt liqenit të Ohrit, duke sjellë një situatë katastrofike. Aktualisht që lumenjtë janë qetësuar, ajo që ka mbetur është shkatërrimi i rrugëve dhe i disa urave në fshatrat përreth Pogradecit, mbushja e tyre me inerte, uji që qëndron ende në disa prej pallateve në qytetin e Pogradecit ku ka shkaktuar edhe dëme të mëdha ekonomike, si dhe nxjerrja jashtë përdorimit e çdo orendie shtëpiake në disa familje në Gështenjas dhe Rëmenj.

Edhe pse autoritetet lokale kanë punuar me të gjitha kapacitetet në kushtet aktuale nevojitet një ndërhyrje emergjente për largimin përfundimtar të ujit, si dhe sistemimin e pastrimin përfundimtar të mbeturinave nga lumenjtë, apo vlerësimin e dëmeve në shtëpitë e përmbytura. Kryetari i bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri bëri një pasqyrë të situatës, duke ngritur apelin ndaj qeverisë për ndihmë urgjente, pas reshjeve të shiut që ai i cilësoi biblike. (m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: