Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, komentoi aktualitetin politik dhe bëri një projeksion të asaj që pritet të ndodhë pas Ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor, të cilat Presidenti Meta ka paralajmëruar që do ia kthejë qeverisë.

Pikërisht nisur nga kjo deklaratë, Nazarko tha se pavarësisht sa ia lejon Kushtetuta, Presidenti është lojtar në fushë dhe jo arbitër.

“Sjellja e Presidentit Meta krijon një precedent të ri me qeveritë, kjo sjellje shënon një konfliktualitet të lartë, të paparë, ndonjëherë jo vetëm për ligje por edhe akte, ka akuza me karakter penal të shkëmbyera mes tyre. Në vende me kushtetuta të ngjashme kjo është e papranueshme. Dinamika nuk është ngushtësisht shqiptare, por në rastin tonë polemikat janë të mëdha. Kjo sjellje e Metës vendos në vend një lloj ekuilibri pasi mungon opozita, ai po e personifikon opozitën. Ky personalizim është i veçantë pasi sjell shpresë te populli shqiptar.

Nëse Meta e kthen Kodin Zgjedhor, hapet mundësi e re për një lloj modifikimi të tij. Ky personalizim i gjuhës opozitare e bën interesante figurën e Presidentit. Në popuj me traditë primitive të pluralizmit shpresat lidhen me një person, Meta po e luan këtë kartë. Ai po ashtu ka nisur dekorime, ka shpikur një lloj retorike presidenciale të veçantë, nuk është arbitër, është lojtar në fushë, po vendos ekuilibrin dhe po përfaqëson popullin që nuk është në institucione. Është e shëndetshme kjo pasi pengon Ramën që të kontrollojë i qetë çdo pushtet”,- tha Nazarko.

Sa për zgjedhjet e 2021, Nazarko ishte i mendimit që një qeveri me bazë të gjerë, ku dy forcat kryesore PS dhe PD qeverisin sëbashku do t’i shërbente interesit kombëtar, por edhe integrimit të Shqipërisë në BE.

“S’jam partizan i teorive konspirative por logjika e shëndoshë, interesi kombëtar në fazën e çeljes së negociatave të çon drejt një qeverisje PS-PD. Shqipëria duhet t’i paraqitet botës me diçka moderne, të dy forcave kryesore që bashkëpunojnë, një qeveri me bazë të gjërë që lë institucionet të punojnë dhe që i ofron botës një pamje tjetër, jo të asaj që zihen gjelat si gjithmonë. Kjo duket pamje që kush e njeh Ramën kupton që ai e rishpik veten, mendon shumë për imazhin e tij ndërkombëtar. Unë besoj tek qeverisjet që i lënë institucionet të punojnë. Nga ana tjetër edhe Basha e ka kuptuar që në politikë s’mund të përsërisë Sali Berishën”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb