Shefit të Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë nga selia blu u shpreh se personi i cili është emëruar mëngjesin e sotëm në postin e drejtorit të Policisë Kriminale është famëkeq sidomos si protektor i “Rrugëve të kokainës”, gjatë kohës si drejtor i Policisë së qarkut Elbasan.

Balliu deklaroi se aktiviteti i tij në mbështetje të narkotrafikut ndërkombëtar kulmoi me rastin “Xibraka”, ndërsa u shpreh se me drejtorë të tillë, Policia dhe Shqipëria janë në rrezik..

Deklarata e plotë:
Neritan Nallbati emërohet drejtor i Policisë Kriminale, në institucionin me demek të reformuar të Gledis Nanos, edhe pse ai u largua në vitin 2003 si bashkëpunëtor i Hakmarrjes për Drejtësi.

Nallbati është famëkeq sidomos si protektor i “Rrugëve të kokainës”, gjatë kohës si drejtor i Policisë së qarkut Elbasan.

Aktiviteti i tij në mbështetje të narkotrafikut ndërkombëtar kulmoi me rastin “Xibraka”.

Sipas raporteve mediatike dhe konfidenciale, Neritan Nallbati e ka vazhduar pa ndërprerje rolin e mbështetësit të aktiviteteve të paligjshme dhe të infiltruarit të botës së krimit në Polici, edhe në kohën kur drejtonte Policinë e Durrësit.

Që prej tetorit 2021 në portin më të madh në vend ka patur një rritje eksponenciale të trafikut të drogës.

Emërimi i tij në krye të policisë kriminale është rasti i përsëritur i promovimit të korrupsionit në hierarkinë e lartë të Policisë së shtetit.

Është tregues se nuk është gara dhe ndershmëria që të ndihmon të bësh karrierë, por përfshirja në afera dhe korruptimi thelbësor.

Partia Demokratike dënon vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, i cili paraqitet në Tiranë si i preferuari i FBI-së amerikane.

Një si Neritan Nallbati nuk do të pranohej as roje në oborrin e FBI, dhe jo më hierarki i lartë.

Absurde është që një të dyshuar dhe të shkarkuar për lidhje me krimin të emërosh në krye të luftës kundër krimit.
Ne dënojmë edhe kriminalizimin e uniformave blu, dhe në të njëjtën kohë theksojmë se trupa e policisë nuk është e korruptuar. Në të ka profesionistë të përkushtuar dhe atdhedashës të ndershëm.

Shefat e tyre, nën shembullin më të mirë të shefave politikë në parti, e kanë kthyer armën e policisë në një paradhomë partiake, ku u merret nderi edhe atyre edhe Shqipërisë.

Me policë si Neritan Nallbati në krye të punëve, Policia dhe Shqipëria janë në rrezik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb