Një grup hajdutësh me në krye shqiptarin me pseudonimin “Miço” është zbuluar nga hetuesit e policisë greke, pasi kishin vjedhur një numër të konsiderueshëm makinash, që më pas i shisnin për pjesë këmbimi.

“Miço” është koka e grupit famëkeq dhe sipas mediave greke kishte aftësinë që t’i zbërthente makinat në pak minuta. Protothema shkruan se shqiptari me “çelësat magjikë” zhdukte makinat në moment dhe më pas i hidhte në tregun e zi për pjesë, ndërsa fshihte çdo gjurmë.

Nga dosja hetimore e bërë publike nga media greke është zbardhur edhe mënyra e funksionimit të organizatës që ishte në shënjestër të Policisë greke.

Deri më tani, 34-vjeçari, pronari i servisit, ka rënë në prangat e autoriteteve dhe është dërguar në Prokurori, ndërsa “Miço” shqiptari dhe një tjetër anëtar i grupit janë në kërkim.

Avokati i të arrestuarit, Alexandros Papaioannidis, referuar çështjes, tregon për protothema.gr se “klienti im që në fillim ka deklaruar në polici se nuk ka kryer as veprën më të vogël të kundërligjshme. Ai punon legalisht dhe biznesi familjar është i ligjshëm në çdo aspekt. Të gjitha provat do t’i dorëzohen hetuesit kompetent”.

Zbulimi i rrjetit ka nisur mëngjesin e 18 gushtit. “Në orët e mëngjesit të datës 18 gusht 2022, një grua ka shkuar në Departamentin e Sigurisë Pagratio dhe ka denoncuar vjedhjen e një makine Hyundai ngjyrë gri, me vlerë totale rreth 7500 €, e cila ishte marrë nga Pagratio gjatë periudhës 16 gusht 2022 deri më 18 gusht 2022.

Një sistem gjurmimi GPS i ishte vendosur më parë makinës së vjedhur dhe viktima iu drejtua aplikacionit për të gjurmuar lëvizjet e fundit të mjetit. Nga historiku i aplikimit ka rezultuar se në orën 3:21 të datës 18 gusht 2022, makina e saj ka qenë e parkuar në kryqëzimin e rrugëve Velestinou dhe G. Kondili në Haidar, ndërsa më pas ka qenë duke lëvizur në zonën e Pallinit.

Rreth orës 11:00 pajisja ka lëshuar sinjal në kilometrin e 17-të të Avenue Spaton në Pallini. Pronarja e makinës është afruar në vendngjarje dhe ka gjetur në një kasolle automjetin e vjedhur dhe një burrë që po çmontonte pjesët e tij.

Ajo ka njoftuar menjëherë policinë, të cilët kanë kapur  personin që ishte duke çmontuar mjetin. Siç kanë konstatuar, është vetë pronari i akuzuar që u ka thënë gojarisht se mjeti në fjalë i është dorëzuar në orët e mëngjesit pa targa dhe pa leje, nga një person me origjinë shqiptare i quajtur “Miço”.

Kjo zonë ka qenë “baza” e grupit kriminal pasi aty janë zbërthyer automjetet në pjesë të ndryshme, me qëllim asgjësimin e mëtejshëm si pjesë këmbimi. Përpara se të transportonte automjetet në zonën e sipërpërmendur, grupi kriminal fshihte çdo provë që mund të çonte tek pronari i vërtetë i mjetit si patentë, targa, dokumente të tjera identifikimi etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb