Avokati Erald Aga, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka reaguar ashpër lidhur me shoqërimet e shumta dhe dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës së djeshme përpara Parlamentit.
Sipas tij, forcat e rendit kanë vepruar me paramendim dhe kanë shkelur ligjin duke përdorur forcë joproporcionale ndaj qytetarëve që po ushtronin të drejtën e tyre kushtetuese.
Aga deklaroi se policia ka nxitur qëllimisht dhunën dhe bëri thirrje që të shihen me shumë kujdes pamjet filmike të ditës së djeshme. Kjo analizë, sipas tij, është e nevojshme për të evidentuar punonjësit e policisë të veshur me civilë që provokuan situatën në terren.
Avokati theksoi se reagimi i forcave të rendit ishte plotësisht i disproporcionuar, pasi në përgjigje të hedhjes së vezëve nga protestuesit, policia përdori gaz lotsjellës dhe spraj shumë të fortë, që sipas dëshmive të qytetarëve ngjasonte me sprajin që përdoret për arinjtë. Ai denoncoi gjithashtu faktin se në një moment pranë Parlamentit, policia hoqi qëllimisht rrethimin e sigurisë vetëm për të pasur hapësirë që të sulmonte protestuesit.
Përballë këtyre shoqërimeve që i cilësoi si të tmerrshme, avokati u dha disa këshilla juridike të rëndësishme të gjithë qytetarëve. Ai nënvizoi se çdo protestues duhet të ketë numrin e një avokati të besuar dhe, në rast shoqërimi në komisariat, të mos bëjë asnjë deklaratë pa praninë e tij. Aga rikujtoi se nenet 34/a dhe 34/b të Kodit të Procedurës Penale u garantojnë atyre të drejta të qarta në të tilla situata.
Në mbyllje, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dëmtuar që të bëjnë menjëherë kallëzim penal ndaj drejtuesve të policisë që kanë dhënë urdhrat për këto veprime të jashtëligjshme.
