Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisur më 3 prill në Hagë.

Në këtë artikull prestigjiozja britanike shkruan konkretisht për gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e cilëson si politikani më i shquar në Kosovë.

“The Guardian” përshkruan ngjarjet historike të luftës dhe pas saj, si dhe rolin e tyre në to, deri tek arrestimi nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

“Javën e kaluar, Thaçi, i cili shërbeu si kryeministër dhe president i Kosovës, u paraqit në bankën e të akuzuarve të një gjykate të Hagës së bashku me tre kolegë të shquar, të gjithë të akuzuar për krime lufte të kryera gjatë konfliktit, duke përfshirë bashkëpunimin në vrasjen e 102 personave”, shkruan “The Guardian”.

Ndërsa prokurorët paraqitën rastin e tyre kundër Thaçit dhe të pandehurve të tjerë Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – të gjitha figura të larta në udhëheqjen e UÇK-së gjatë luftës kundër forcave serbe nga viti 1998 deri në vitin 1999 – ata përshkruan një fushatë të supozuar të vrasjeve, torturës dhe represionit kundër kundërshtarëve dhe anëtarët e pakicave etnike të drejtuar nga katër burrat.

“The Guardian” e ka përmendur edhe raportin e Dick Martyt që është publikuar në vitin 2010, që pretendonte për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë trafikimin e organeve nga UÇK-ja, megjithatë thuhet se çështja ka vazhduar në gjyq me ritëm të ngadaltë, ndërsa pretendimet për vrasjen e viktimave dhe marrjen e organeve të tyre janë zhdukur nga procedurat.

Tutje në artikull thuhet se pretendohet që viktimat përfshinin përkrahës të LDK-së, civil serbë dhe romë, të cilët u mbajtën në kushte çnjerëzore në selinë e UÇK-së, dhe iu nënshtruan torturave e në disa raste edhe u ekzekutuan.

“The Guardian” më tej shkruan se gjykimi në Hagë pritet që të rishkruajë historinë.

“Gjyqi, i cili u hap dy vjet pasi burrat u dorëzuan në juridiksionin e gjykatës dhe pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet, tashmë duket i sigurt se do të rishkruajë historinë e konfliktit.

Procedurat, thellësisht të papëlqyeshme në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje, kujtojnë periudhën e konfliktit brutal midis viteve 1998 dhe 1999, ku organizatat e armatosura serbe dhe kosovare kryen krime lufte në kontekstin e kryengritjes së armatosur të UÇK-së dhe reagimit ushtarak të Beogradit”, thuhet mes tjerash në artikullin e prestigjiozes britanike.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në paraburgim në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb