GJERMANI- Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, zhvilloi sot një vizitë pune në zyrat qendrore të Postës Gjermane në Bon-Gjermani, ku u takua me anëtare të Bordit Drejtues të Deutsche Post DHL Group.

Qëlllimi i vizitës ishte thellimi i bashkëpunimit dypalesh me Postën Gjermane dhe rritja e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët në shërbimin postar dhe financiar.

Gjatë takimeve, Lazimi prezantoi nismat dhe projektet e ndërmarra nga Posta Shqiptare mbi dixhitalizimin e shërbimeve postare dhe financiare, zhvillimin e një platforme të re gjithëpërfshirëse për mbështetjen e zhvillimit të tregtisë elektronike (e-commerce), projektit të pagesave nepërmjet telefonit (mobile paymemts platform) si një instrument i rëndësishëm në përfshirjen financiare të të gjithë qytetarëve, dhe projekti për krijimin e Postbank-es, etj.

Gjatë takimit palët ranë dakort për rritjen e bashkëpunimit në fusha konkrete me interes të perbashkët si; e-commerce, shërbim ekspres postar, logjistike, IT, etj. Drejtuesit gjermane treguan gatishmëri maksimale në ofrimin e asistencës dhe ekspertizës bashkëkohore në shërbimin postar dhe financiar, duke ju referuar eksperiencave më të mira dhe sukseseve të modelit të biznesit të Postës Gjermane.

Kjo vizitë do të pasohet me takime në nivel teknik për të diskutuar më tej hapat konkretë të këtij bashkepunimi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb