TIRANE

Dy nismat e propozuara nga mazhoranca për betimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetutese apo gjykatësve e prokurorëve, që nuk zhvillojnë ceremoninë e betimit para Presidentit të Republikës, sipas kreut te Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, kanë qëllim zgjidhjen e një ngërçi për të ardhmen.

Kryekomisioneri Manja jep detaje të nismave ligjore, të cilat ndërhyjnë në dy ligjet “Për organizimin e Gjykatës Kushtetutese” dhe “Për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve”.

Drafti që saktëson se gjyqtari i emëruar në Gjykatë Kushtetutese, që nuk thirret për betim në Pesidencë, e kryen betimin në formë të shkruar, mund të ndryshojë duke hequr kufizimin, e duke përcaktuar se ceremonia e betimit mund të organizohet pranë Gjykatës Kushtetutese.

Por a do kenë këto ndryshime efekt prapaveprues, në mënyrë që në Kushtetutese të ulet Arta Vorpsi, e cila njihet nga mazhoranca si gjyqtare e kësaj trupe, por që të kundërtën mendon Presidnti i Republikës?

“Vendimin se kush do konsiderohet anëtare e Gjykatës Kushtetutese, Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari, do e marrë Gjykata Kushtetutese.” –tha Manja

Nisma e propozuar nga tre deputetë të mazhorancës, Alket Hyseni, Adnor Shameti dhe Edmond Leka, do nisë të diskutohet në sesionin e ardhshëm parlamentar, që nis në fund të janarit të vitit të ardhshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb