Pedagogia Jonila Godole shprehet se Peticioni për Dekomunistizim dhe Drejtësi që IDMC-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë inicioi në shkurt 2022, duket se i ka dhënë efektet e veta, duke detyruar opozitën, por edhe mazhorancën që të propozojnë disa ndryshime ligjore në muajt e fundit.

Sipas saj një ligj për lustracionin është padyshim i rëndësishëm, sidomos po të ishte aplikuar në vitet 1990, ku edhe impakti do të ishte më i madh.

Godole thotë se opinioni publik duhet të kuptojë qartë se kartelat dhe regjistrat e ish-Sigurimit përmbajnë shumë pasaktësi që prek indirekt një numër të madh qytetarësh, jetësh dhe fatesh individuale dhe familjare.

“Në këto kartela dhe regjistra gjenden edhe plot emra të të përndjekurve, të burgosurve politikë, apo të familjarëve të tyre, pavarësisht nëse ata kanë pasur aktivitet dëmtues apo jo. Dhe pikërisht ekzistenca e tyre nëpër këto lista ka bërë që ata të shantazhohen nga politika në përgjithësi, por edhe nga PD në veçanti, këto tre dekada, duke i detyruar të mbështesin shpesh edhe politika që kanë qenë në dëm të interesave të tyre, të ish-të burgosurve politikë dhe të ish-pronarëve.  Prandaj, sygjerova se nevojitet një transparencë më e plotë mbi “dosjet” e aktivitetit të çdo subjekti të dyshuar, si dhe një kohë e mjaftueshme për të kryer verifikime të thelluara dhe të pakontestueshme rast pas rasti, pasi shtatë ditë siç e parashikon projektligji është shumë pak”, shprehet ajo ndër të tjera.

Komenti i plotë nga  Jonila Godole

Peticioni për Dekomunistizim dhe Drejtësi që IDMC-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë inicioi në shkurt 2022 duket se i ka dhënë efektet e veta, duke detyruar opozitën, por edhe mazhorancën që të propozojnë disa ndryshime ligjore në muajt e fundit.

Paraditen e 9 marsit, grupi parlamentar i PD-së më ftoi edhe mua ndër të tjerë, të diskutonim mbi „Projektligjin e Lustracionit”, një akt ky për t’u përshëndetur, edhe pse shumë i vonuar dhe me pak shanse reale për të mundësuar një Vetting në politikë, administratë apo drejtësi. Sepse shumica e ish-funksionarëve, kryeprokurorëve, kryehetuesve, sigurimsave, etj., ose kanë dalë në pension, ose nuk jetojnë më. Kategoritë që synohen të verifikohen fillojnë nga Presidenti e deri te drejtorë e zv/drejtorë të TVSH-së, ATSH-së, te dekanë e zv/dekanë të universiteteve publike. Deri këtu projektligji në fjalë nuk dallon nga Ligji nr. 8043 „për Verifikimin e Pastërtisë së Figurës“, miratuar nga PD më 1995. Ky ligj u rrëzua atëherë nga Gjykata e Kasacionit dhe ajo Kushtetuese se u mohonte subjekteve të drejtën për t’u zgjedhur. Gjithashtu ai u kritikua se po përdorej, për hapje selektive të dosjeve të ish-Sigurimit dhe për t’i përdorur ato si mjete shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë“. Druaj se këto dyshime do ta shoqërojnë edhe këtë projektligj të ri.

Një ligj për lustracionin është padyshim i rëndësishëm, sidomos po të ishte aplikuar në vitet 1990, ku edhe impakti do të ishte më i madh, dhe mbase do të kishte pastruar jetën publike dhe politike nga eprorët dhe shërbëtorët e regjimit komunist. Gjasat që ky ligj të aprovohet janë të vogla, përsa kohë nuk dakordësohen palët politike dhe tregojnë vullnet për ta dënuar regjimin komunist.

Mazhoranca madje mund të ndihej komode ta përkrahte projektligjin, meqënëse ish-funksionarët e vet të lartë, të cilët mund të rrezikoheshin nga „lustracioni“, kanë dalë (apo janë nxjerrë) tashmë në pension. Dhe ndërsa PD vazhdon të ndjekë ndër vite kauza pa produkt të prekshëm për shtresën e të përndjekurve politikë, të cilët enden zyrave për dëmshpërblimet dhe pensionet mjerane, oficerët e ish-Sigurimit apo hetuesit kanë përfituar pensione të lakmueshme, plus bonuse vjetërsie dhe vështirësie – të gjitha këto të rregulluara me ligje të posaçme nga PS-ja nën hundën e PD-së apo me bekimin e saj. Çdo propozim konstruktiv nga aktorë të pavarur (si autorja e këtij shkrimi) për një strategji kombëtare se si mund të adresoheshin këto çështje konkrete për shtresën e të përndjekurve politikë, nuk është marrë parasysh.

Por le të kthehemi te projektligji aktual i „Lustracionit“. Fatkeqësisht, për 32 vite me radhë, i gjithë faji për krimet e diktaturës i është hedhur vetëm Sigurimit dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke lënë jashtë diskurit strukturat e tjera të regjimit, që prodhonin politikat represive që zbatoheshin pastaj nga Sigurimi. Me termin „dosje“ është abuzuar  pafund këto 32 vjet dhe ende vazhdon të abuzohet. Për kuriozitetin e publikut, në projektligj nuk përmendet asnjëherë fjala “dosje”, por vetëm „materiale arkivore“ dhe „dokumente“, por jo „dosje“!

Si shpjegohet kjo? Sepse deri me tani, verifikimi i subjekteve si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, është bërë kryesisht përmes kartelave dhe regjistrave të ish-Sigurimit. Ky ka rezultuar në shumë raste si një verifikim sipërfaqësor, që nuk

ndriçon aktivitetin konkret dëmtues të subjekteve që verifikohen.

Prandaj i propozova grupit të punës për këtë projektligj që të specifikojë që “Verifikimi i subjektit kur nuk shoqërohet me aktivitet konkret dëmtues të tij shpallet i pavlefshëm”.

Çdo lojë fjalësh dhe gjuhë e drunjtë juridike që nuk e qartëson këtë aspekt mund të lërë shteg për keqinterpretime nga ana e institucionit zbatues, dhe në rastin më të keq, për abuzime selektive me dosjet, siç ka ndodhur rëndom deri më tani.

Opinioni publik duhet të kuptojë qartë se kartelat dhe regjistrat e ish-Sigurimit përmbajnë shumë pasaktësi që prek indirekt një numër të madh qytetarësh, jetësh dhe fatesh individuale dhe familjare.

Në këto kartela dhe regjistra gjenden edhe plot emra të të përndjekurve, të burgosurve politikë, apo të familjarëve të tyre, pavarësisht nëse ata kanë pasur aktivitet dëmtues apo jo.

Dhe pikërisht ekzistenca e tyre nëpër këto lista ka bërë që ata të shantazhohen nga politika në përgjithësi, por edhe nga PD në veçanti, këto tre dekada, duke i detyruar të mbështesin shpesh edhe politika që kanë qenë në dëm të interesave të tyre, të ish-të burgosurve politikë dhe të ish-pronarëve.

Prandaj, sygjerova se nevojitet një transparencë më e plotë mbi “dosjet” e aktivitetit të çdo subjekti të dyshuar, si dhe një kohë e mjaftueshme për të kryer verifikime të thelluara dhe të pakontestueshme rast pas rasti, pasi shtatë ditë siç e parashikon projektligji është shumë pak.

Shpresoj që grupi i punës që ka përgatitur projektligjin për Lustracionin t‘i marrë parasysh këto aspekte, në mënyrë që ligji të mos jetë thjesht një propagandë rutinë para zgjedhjeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: