TIRANE- Nxënësit me aftësi të veçanta tashmë nuk do të jenë më vetëm, pasi përkrah tyre do te kenë edhe mësuesit ndihmës, të cilët do ti ndihmojnë ata në nevojat e tyre të përditshme dhe për të ecur me ritmin e shokëve të tyre të klasës.

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ka shtuar numrin e mësuesve ndihmës në sistemin arsimor në vend, duke e çuar numrin e tyre nga 310 në 700 mësues.

“Mësuesit ndihmës nuk janë mësues individual në një dhomë, por janë nxënës në klasa normale ku janë edhe nxënësit e tjerë. Por, nëse për nxënësit e tjerë nuk është e nevojshme prania e një mësuesi ndihmës, për këta fëmijë me nevoja të veçanta do të jetë e nevojshme edhe asistenca e një mësuesi ndihmës, që do të bëjë mundur të përfshijë programin individual të fëmijës me nevoja të veçanta me programin që ndjek gjithë klasa. Këtë vit shkollor që u mbyll kishim 310 mësues ndihmës, ndërsa në vitin e ri shkollor 2018-2019 numri i mësuesve ndihmës shkon në 700”, theksoi ministrja Nikolla.

Mësuesit ndihmës do të akordohen në shërbim të fëmijëve me aftësi ndryshe në momentin që kjo do të jetë e nevojshme për ta, në mënyrë që këta fëmijë të ruajnë ritmin në ndjekjen e programeve mësimore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb