TIRANË- Të ngujuar në sallën e seancave plenare, demokratët u informuan në kohë reale për çdo lëvizje nga kundërshtari politik. Dalja për media e Taulant Ballës, që mohonte përdorimin e fjalorit fyes të Edi Ramës ndaj ish-liderit të tyre vuri në lëvizje të djathtët.

“BalkanWeb” zbardh diskutimin e zhvilluar mes demokratëve për personin që do të replikonte me kryetarin e grupit socialist. Në mbledhjen e ngushtë u propozua që Enkelejd Alibeaj, nënkryetari i grupit të dilte e t’u përgjigjej akuzave të socialistëve publikisht.

Propozimi mori “pëlqimin” e ish-kryeministrit edhe pse nuk e pohoi me zë, por mesa duket Lulzim Basha kishte një tjetër emër në mëndje.

Ai thirri zëdhënësen e grupit Grida Duma, të afrohet. Emri i Grida Dumës nuk ka lënë indiferent Sali Berishën, i cili i është drejtuar Bashës me fjalët: “Jo, jo, lëre fare”, duke lënë të kuptohet se nuk është dakord që Grida të flasë për mediat.

Burime të “BalkanWeb” bëjnë me dije se zëdhënësja e grupit i është përgjigjur menjëherë thirrjes së kryetarit dhe është afruar, por nuk i ka komunikuar asgjë dhe është kthyer mbrapsht sërish, ndërsa Sali Berisha është çuar nga vendi i tij.

Lulzim Basha i gjendur në “vështirësi” është detyruar të gjejë një zgjidhje që të mos mërzisë askënd, duke dalë vetë për mediat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: