Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

E diel, 13.9.1981

Teksti i plotë i shënimeve të Ditarit të Enver Hoxhës, më 13.09.1981.

Enveri ka lënë me shkrim me dorën e tij argumentet që ngjarjet të kuptohen, interpretohen dhe referohen ashtu si i ka përshkruar, fiksuar dhe dokumentuar ai vetë. Është e natyrshme që Enveri të bisedonte me Mehmetin për problemet e dala. Në raportet zyrtare dhe ato shoqërore e familjare, kur dy personalitetet kryesore të shtetit kanë marrëdhënie të ngushta, gjërat duhen analizuar me sinqeritet, dashamirësi dhe rreptësi kur është e nevojshme. Nga këto pak shënime kuptohen raportet e hierarkisë së lartë, të këtyre dy personaliteteve, por Enveri qëndron në majën e malit dhe Mehmeti i përulur në tokë, para malit.

Enveri thekson idenë e vetëvrasjes dhe e hedh përgjegjësinë në anën tjetër. Shkruan se Skënderi do të vriste veten. Në një rast përmend kalimthi edhe Mehmetin. Cilësimi konkretisht i Skënderit si subjekti, si viktima e mundshme, e largon vëmendjen nga Mehmeti, pa nënvleftësuar edhe përmendjen e tij “rastësisht”, por që ka domethënie të qartë, po ta analizojmë në tërësinë e rrethanave të ngjarjeve të mëvonshme. Kujdesi i posaçëm në fjalën vetëvrasje tregon edhe përgatitjen e alibisë për fajësinë direkte për organizimin në fshehtësi të vrasjes së kryeministrit.

Këto detaje të mendimeve të shkruara në ditar nuk del të kenë qenë objekt i diskutimeve në organet e larta të Partisë, në takimet me sekretarët etj. Tërheq vëmendjen fakti se nuk ka të dhëna të dokumentuara as në hetuesi për këto variante.

Së pari, ky është një tregues që demaskon autorin e vërtetë, i cili përgatit alibinë për një ngjarje makabre të radhës të krimeve të organizuara politike e cila do të ndodhte së shpejti.

Së dyti, me këto veprime ai dokumenton duke manipuluar, për të lënë një dokument referues, i cili ishte edhe alibia me përmbajtje shfajësuese për të ardhmen. Ditari personal është hartuar me dorëshkrimin e tij origjinal dhe përmban fakte me të dhëna të rëndësishme. Këto është e nevojshme të analizohen po me përgjegjësi për të sqaruar mirë realitetin dhe manipulimet e mundshme të ngjarjeve dhe të rrethanave të shkruara sipas mendimit të tij. Në të gjithë këtë analizë është e domosdoshme që të mbahet parasysh se për probleme të diskutuara, të cilat nuk gjenin mbështetje të gjerë, Enveri linte shënime për të imponuar mendimet e tij dhe për t‘i bërë të detyrueshme për zbatim.

Qëllim tjetër ishte dokumentimi për të ardhmen, që ngjarjet, fenomenet dhe vendimet të interpretoheshin sipas mendimeve të tij, duke synuar që të fshihej realiteti objektiv dhe të mos zbuloheshin manipulimet, krimet e pasojat e rënda të shkaktuara me urdhrin e tij. Mospërfshirja në hetime e të dhënave të evidentuara në ditar për tri bisedat me Mehmetin nuk mund të ketë qenë harresë. Skënderi në thëniet e tij në hetuesi dhe në deklarimet e mëvonshme nuk i përmend këto variante që shkruan Enveri në ditarin e tij.

Qemal Lame
Qemal Lame

Enveri dhe Ramizi kishin biseduar dhe i kishin dhënë Hekuranit një kopje të këtij dorëshkrimi me qëllim që edhe në këtë drejtim të bëheshin hetime. Hetimet nuk u zgjeruan në këto të dhëna po me urdhër të Enverit e të Ramizit. Ata të dy kishin thënë se nuk ka përse të zgjerohet hetimi në këto drejtime, pasi vetëvrasja e Mehmetit është e qartë dhe e provuar…

– Takimi i Enver Hoxhës me Vladimir Shehun, djalin e Mehmet Shehut.

Bisedë “miqësore” në dukje, por me qëllime të paramenduara e realizuar në kushtet e rënda të rrethanave familjare e me pasoja jetike, si dhe të situatës së rënduar politike ndaj kryeministrit. Takimi i udhëheqësit me djalin e kryeministrit ka qenë shumë kuptimplotë. Me këtë akt ka filluar edhe reagimi për goditjen e mëvonshme të të gjithë familjes Shehu. Enveri në njoftimin e papritur dhe të pazakontë për metodën e tij të drejtimit dhe të komunikimit, ka thirrur në studion e tij të punës, me cilësinë e zyrës efektive të ushtrimit të pushtetit, djalin e madh të Mehmet Shehut, Vladimirin.

Për rreth dy orë ai i foli për kontributet e Shehut në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në ndërtimin e socializmit, duke i kërkuar djalit që t’i rrinte pranë të atit dhe ta ndihmonte, me arsyetimin e maskuar se ai lodhej dhe tani mosha bënte punën e vet. Largimi i Vladimirit tregonte distancimin nga familja dhe nga Blloku. Ai bëhej shembull që ndikonte negativisht në opinionin shoqëror për faktin se Enveri jetonte me fëmijët e tij dhe ata nuk ishin larguar dhe as kishin plan të largoheshin.

Enveri e ka përshkruar këtë takim në Ditarin e tij personal:

“E premte, 25 shtator 1981. Thirra djalin e Mehmetit, Vladimirin, dhe i thashë se banimi me familjen e vet, në një apartament më vete, është normal dhe këtu nuk ka asnjë gabim, por, duke parë sensibilitetin e Mehmetit dhe situatat e rënda që u krijuan në familjen tuaj, hëpërhë mos u largo nga Mehmeti, se si ju edhe ne duhet ta ndihmojmë babanë ta kalojë këtë situatë. Ishte dakord djali dhe do t’ia thotë të atit që nuk do të largohet veç…”.

Biseda iu parapriu masave drastike ndaj familjes Shehu. Takimi i parapërgatitur ka pasur si qëllim njohjen me mendimet e qëndrimet e Vladimirit, për të forcuar besimin tek ai për udhëheqësin dhe krijimin e alibisë për të mënjanuar dyshimet për ngjarjen e ardhshme të eliminimit të kryeministrit dhe tragjedinë me familjen e tij, përfshirë edhe vetë atë Takimi i Enver Hoxhës me djalin e Mehmet Shehut do të ishte sinjali i intensifikimit dhe të veprimtarisë së hapur për realizimin e masave për eliminimin e tij.

Ka shumë rëndësi që të vlerësohet kuptimi i qëndrimit të vërtetë, kur udhëheqësi kryesor thotë me gojën e tij: “… hëpërhë mos u largo nga Mehmeti, se si ju edhe ne duhet ta ndihmojmë babanë ta kalojë këtë situatë.” Këtë qëndrim në pamje të parë miqësor Enveri e ka deklaruar edhe në praninë e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, me rastin e ditëlindjes së tij: “Bashkë, Mehmet i dashur. Edhe ti! Dhe kujdes shëndetin. Se nuk jemi më të rinj, i duhesh Partisë për tani dhe më vonë”.

Enveri e ka menduar dhe analizuar edhe me personat që mbante më afër veprimin që do të ndërmerrte për të thirrur dhe biseduar me djalin e Mehmetit. Kuptohet se është synuar që të bëhet një manovrim që do të kishte diskutime dhe vlerësime, të cilat do të ishin një demonstrim i një qëndrimi fisnik nga Udhëheqësi i Madh. Familja e Mehmetit do të ishte mirënjohëse dhe opinioni shoqëror do të kishte një dëshmi tjetër për kujdesin dhe maturinë e udhëheqësit në gjykimin e një problemi të mprehtë politik.

Enveri do ta zgjidhte me pjekuri të madhe, ashtu si përherë. Ana tjetër e errët e këtij veprimi do të ishte parandalimi i dyshimeve, kritikave, akuzave për pasojat e dramës së përgatitur dhe që do të realizohej me ashpërsinë më të madhe. Enveri i qetë dhe i vendosur në realizimin e eliminimit të kryeministrit bisedon me djalin e viktimës dhe jo me vetë babanë, mikun e tij që prej dyzet vjetësh. Të dy këta pjesëtarë të familjes do të viktimizoheshin më vonë. Në një bisedë midis dy personave, në kushte konfidenciale, Enveri synonte që djalit t‘i tërhiqej vëmendja të qëndronte në vilë bashkë me babanë për t‘i qëndruar më afër të atit në situatën e rëndë që ai ishte duke përjetuar.

Po të ishte i sinqertë dhe po të kishte si qëllim të qetësonte shokun e tij, atëherë si udhëheqës i plotfuqishëm dhe me ndikim të gjithanshëm dhe të padiskutueshëm te Mehmeti të bisedonte hapur, direkt me të, pa inskenuar e realizuar bisedën me djalin e tij më të madh. Arsyetimi në këtë rast do të ishte i natyrshëm po të ishte zhvilluar biseda midis dy personave më të rëndësishëm. Vetë fakti që u veprua sipas kësaj logjike të thjeshtë evidenton prapaskenën e inskenimit të bisedës me djalin për babanë. Në vazhdim ka rëndësi të theksohet se subjektet mund të ndryshohen në rastet kur ndodhin gjendje të rënda që vështirësojnë komunikimin e drejtpërdrejtë, siç janë rastet kur vuan sëmundje mendore në gjendje të rënduar, ka asistencë mjekësore dhe ka humbur aftësinë dhe zotësinë për të vepruar dhe marrë vendime të ndërgjegjshme dhe me përgjegjësinë e tij.

Mehmeti në atë kohë ishte kryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike, personi numër dy. Pra nuk ishte në emergjencë të gjendjes mendore dhe në tërësi të gjendjes së tij shëndetësore. Ka rëndësi të njihet e të theksohet fakti se gjendja shëndetësore e Enverit ishte më e rëndë se e Mehmetit. Enveri rrinte në shtëpi, ndërsa Mehmeti vepronte energjikisht në krye të detyrës së lartë shtetërore. Udhëheqësi normalisht duhet të bisedonte dhe t‘i parashtronte mendimet për kujdesin që donte të shprehte duke folur direkt me subjektin, me vetë kryeministrin, mikun e tij. Biseda me djalin përbën edhe komunikimin indirekt të tij me babanë e djalit. Ky do të ishte edhe një presion tjetër psikologjik ndaj kryeministrit.

Ngjarjet tregojnë se udhëheqësi, si person me pushtet absolut, nuk ka ndjekur rrugën normale të logjikës së komunikimit ndërmjet dy njerëzve të zakonshëm, pa u theksuar fakte se ata ishin dy burrat më të rëndësishëm të shtetit, që drejtonin dhe mbanin përgjegjësinë kryesore për fatet e shtetit dhe të popullit. Enveri, si autori kryesor i tragjedisë, kërkohej të ndërpriste gjuetinë, të dëshmonte vlerësimin e nevojshëm për kryeministrin që kontribuoi për 27 vjet dhe kreu me besnikëri dhe përkushtim të veçantë dhe realizonte edhe funksionet e tij në kohën që ishte i sëmurë rëndë, duke punuar që të ruhej dhe forcohej edhe më shumë figura e Enverit.

Në atë kohë Mehmeti ishte në fakt edhe personi që pyetej për kujdesin dhe gjendjen shëndetësore të vetë Enver Hoxhës, në bazë të vullnetit të deklaruar më parë nga vetë ai. Vetë Enveri kishte për detyrë të sqaronte qëndrimin e tij, të interpretonte kriteret politike të vlerësimit të biografisë së familjes, të fëmijëve të brezit të ri. Enveri kërkohej të sqaronte çdo dyshim të krijuar padrejtësisht dhe të rënduar me qëllime të caktuara politike kundër Mehmetit.

Enveri kërkohej të tregohej realist në vlerësimin e problemeve që ai nxiti vetë për karakterin armiqësor të fejesës. Enveri ishte personi i vetëm që urdhëronte dhe komunikonte vendimet kapitale ndaj armiqve e tradhtarëve të shpallur prej tij. Enveri krijoi me qëllim situatën e rëndë kundër Mehmetit dhe marrjen e masave që paralajmëruan dhe shkaktuan rrebeshin e propagandës së përditshme, gjestin e distancimit, të nënvleftësimit dhe të kundërvënies së hapur që po përgatiste me shpejtësi situatën më të favorshme për të shpallur publikisht masën e paramenduar dhe paravendosur për dënimin dhe eliminimin përfundimtar të Mehmetit.

Mbështetja formale e udhëheqësit ndaj kryeministrit kuptohet se kishte si qëllim fshehjen e fillimit të masave drastike. Roli i dënueshëm i skenarit të bisedës së inskenuar të udhëheqësit me djalin e mikut, pasardhësit të tij, tregon për qëllimin e vërtetë të tij për eliminimin e kryeministrit: Enveri që shkaktoi stuhinë vdekjeprurëse ndaj Mehmetit kërkon të dëshmojë se interesohet që djali të kujdeset për babanë, për gjendjen në të cilën ai ndodhej!!!??? Enveri i vë me qëllim në dukje edhe moshën e Mehmetit, duke e porositur djalin që të kishte parasysh se punonte shumë dhe nuk mund ta përballonte atë ngarkesë, pasi mosha bën punën e vet!!!???

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb