Arsenali do ta nisë mbrojtjen e titullit kampion të Premier League në shtëpi ndaj të sapongjiturit Coventry, në ndeshjen që do të hapë sezonin 2026-27 më 21 gusht.
Ndërkohë, Manchester City, që do të nisë sezonin e parë pas 10 vitesh pa Pep Guardiolën në stol, do të presë Bournemouth në sfidën e tij të parë të kampionatit. Manchester United do të udhëtojë në fushën e një tjetër skuadre të promovuar, Hull City, ndërsa Liverpooli do të luajë në transfertë kundër Newcastle United.
Kalendari zyrtar i sezonit të ri u publikua nga Premier League të premten në mëngjes. Kampionati do të nisë një javë më vonë krahasuar me sezonin 2025-26, për t’u dhënë futbollistëve më shumë kohë rikuperimi pas angazhimeve në Kupën e Botës.
Java e fundit e kampionatit do të zhvillohet të dielën, më 30 maj, gjashtë ditë para finales së UEFA Champions League, e cila është planifikuar të luhet më 5 qershor në Madrid.
Para fillimit të sezonit, më 16 gusht do të zhvillohet edhe ndeshja tradicionale e Community Shield. Përballë njëri-tjetrit do të jenë kampioni në fuqi, Arsenal, dhe fituesi i FA Cup, Manchester City. Takimi do të luhet në Principality Stadium të Cardiffit dhe do të shërbejë si prova e parë e madhe për dy skuadrat para startit të kampionatit.
