Në shtator mund të hapen negociatat e anëtarësimit, por vetëm pasi të ketë progres në reformën në drejtësi. Presidenca Malteze e Bashkimit Europian, përmes ambasadorit Godwin C. Pulis shprehet e shqetësuar për situatën e krijuar pas protestës së opozitës dhe kërkon rikthimin në normalitet të punimeve të Kuvendit deri në ditën e zgjedhjeve, si dhe besueshmeri të procesit zgjedhor.

Kur mund të hapen negociatat me Shqipërinë?
Godwin C. Pulis: Nëse Shqipëria përmbush kushtet e vëna, pra nëse reforma në drejtësi vijon dhe zgjedhjet mbahen normalisht, negociatat do të hapen këtë vit. Zhvillimet e fundit na kanë shqetësuar, sepse zhvillimi i dialogut në Parlament është me rëndësi, në mënyrë që nga tani deri në ditën e zgjedhjeve Parlamenti të zhvillojë punimet pa probleme dhe zgjedhjet të mbahen normalisht.

Është ky një mesazh për opozitën?
Godwin C. Pulis: Unë kam mesazh për qytetarët shqiptarë të përfaqësuar nga mazhoranca dhe opozita, që ata duhet të ulen në Parlament, të diskutojnë, madje në një dhomë me dyer të mbyllura dhe të mos hapen deri kur ata të shtrëngojnë duart dhe të jetë arritur zgjidhja.

Cili është kushti kryesor, zgjedhjet apo vettingu?
Godwin C. Pulis: Për Bashkimin Evropian vettingu është aktualisht përcaktuar si një nga kriteret paralelisht me zgjedhjet. Unë kam besim se qytetarët shqiptarë, të përfaqësuar në Parlament, pra pozita dhe opozita së bashku mund të gjejnë zgjidhje për këto çështje.

Nëse ky konsensus nuk do të arrihet deri në qershor, çfarë do të ndodhë me hapjen e negociatave për Shqipërinë?
Godwin C. Pulis: Një situatë e tillë do të krijonte më tepër vështirësi, prandaj unë këmbëngul që nga tani deri në qershor një zgjidhje duhet gjetur. Pra, nëse edhe zgjedhjet zhvillohen pa probleme, nëse rezultati do të ishte i ndershëm dhe i pakontestuar, ne mund të nisim negociatat pas kësaj./tch

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb